Gigliola Haveriku ishte e ftuar në emisionin “Back to the Beginning” me Kozeta Kurtin në Top Albania Radio, ku ndau me dëgjuesit një rrëfim të ndjerë dhe personal mbi rrugëtimin e saj artistik. Gjatë intervistës, ajo foli për fillimet e saj në muzikë, sfidat e përballuara në një industri gjithnjë në ndryshim dhe momentet më të rëndësishme që kanë ndikuar në formimin e saj si artiste.
Si kanë ndryshuar gjërat në karrierën dhe jetën e saj këto vitet e fundit?
Kanë ndryshuar dhe ndonjëherë mendoj që nuk kanë ndryshuar. Ka një miks ndjenjash dhe mendimesh në këtë aspekt. Jam bërë nënë dhe normalisht ky është ndryshimi më i madh që mund të ketë ndodhur dhe nga ai emisioni, që kemi qenë së bashku nga atëherë kemi qenë tre këngëtar, dhe të tre jemi bërë prindër. Kjo ishte interesante për ta nxjerrë në pah. Normalisht edhe nga ana profesionale kam ndryshuar shumë ndër vite. Siç e the atëherë isha shumë e ndrojtur me skenën. Ju shihnit një performancë të saktë, por brenda nesh ziente emocioni. Tani jemi bërë pak më të zhdërvjellët me skenën dhe normalisht eksperienca ta jep këtë gjë. Muzika vazhdon të jetë me mua. Nuk ka ndryshuar.
Sa e vështirë ka qenë për të për ‘të mbijetuar’ në tregun muzikor?
Ndryshon pak. Në fillim normalisht ka qenë pasion dhe fokusin ti e kishe tek ekzibicioni. Pra, që ti të kishe koncerte dhe më pak tek ana monetare. Edhe pse unë kisha edhe një profesion tjetër. Punoja dy punë atëherë, pastaj u fokusova vetëm tek muzika. Është terren i vështirë, sidomos për ne mendoj. Kur them ‘ne’ nuk është për të ndarë si kategori, por gjithsesi këngëtarët e muzikës live, që performojnë në lounge dhe në koncerte padyshim, normalisht që ndeshen me këtë sikletin e të kënduarit playback dhe se si preferohen disa ekzibicione, që shkojnë përtej zërit, si kërcime dhe themi ‘pse’.
Në lidhje me projektin e saj më të fundit, si ka ardhur “Dritë”?
“Dritë” ka një vit projekt dhe është projekti besoj më i gjatë që kam bërë ndonjëherë nga ana e muzikës sepse nuk ishte kurrë gati. Është një këngë me dedikim. Gjithësecili mund ta gjejë veten tek kjo këngë për dikë që i ka ndryshuar jetën. Në asnjë moment nuk përmendet për kë e kam unë, por unë e them që frymëzimi e muza ime ka qenë vajza ime Isabel. Lindi si një këngë për t’u bërë për të.