Sot i ftuar në emisionin “Pardon My French” me Jonida Aliçkollin ka qenë artisti i njohur, David Dreshaj. Ai ka zbuluar më shumë detaje në lidhje me fillimet e karrierës së tij, projektet e reja dhe jo vetëm…

Së fundmi artisti ka publikuar projektin e tij më të ri me Skerdin, i cili quhet “Sonte”, në Top Albania Radio ai zbuloi se si ka ardhur ky bashkëpunim mes tyre.

Në fillim të karrierës sime gjithmonë i bëja me plan dhe me skaletë gjërat por pastaj e kam parë që varjojnë dhe ndryshojnë planet në moment të fundit. E kam pasur si këngë gati pothuajse që 7-8 muaj. Mendova që Skerdi ishte varianti më i mirë që t’ia prezantoja dhe të jetë pjesë e këngës. Menjëherë ka pranuar sepse ka qenë një stil ndryshe dhe për të edhe për mua. Është e ndërthurur dhe e sjellë shumë mirë edhe nga producenti dhe mendoj që kemi bërë një punë të shkëlqyer deri në detaje. 

Si ka nisur karriera e tij në fushën e muzikës?

Profesori në shkollën fillore, ai më ka dalluar dhe më ka integruar që të hyja në shkollën e muzikës. Nga mosha 10-vjeçare vetëm muzikën kam ndjekur. 

Mendon David se është në momentin e tij më të mirë sa i përket arritjeve në muzikë?

E ndiej që gjërat kanë ndryshuar. Mendoj që kam ende për të dhënë dhe nuk është se ngopem aq lehtë dhe jam djalë punëtor. Mendoj se jam ende në fillimet e mia. Më pëlqen puna dhe e dua me shumë pasion dhe e kam me shumë dashuri. Nuk përtoj dhe mendoj se puna nuk të lë kurrë prapa. 

Ekskluzivisht për Top Albania Radio, David Dreshaj zbuloi se këtë verë ai do të sjellë një bashkëpunim me artisten e njohur Ronela Hajatin.

Kam pasur bisedime me shumë artiste të showbiz-it shqiptar sepse kemi menduar të sjellim diçka, disa edhe kam filluar t’i realizoj. Momentin e duhur kur do të lançohet nuk e di por mund ta them ekskluzivisht për Top Albania Radio që e kam një bashkëpunim me Ronela Hajatin. Një këngë shumë verore, ‘clubish’ për audiencën dhe për njerëzit që do vijnë nga jashtë do ta shijojnë shumë në clube, lounge dhe kafe. 

Artisti tregoi gjithashtu se kjo verë për të do të jetë me mjaft impenjime edhe në vendin tonë ku zbuloi se do të fillojë me disa festivale të mëdha dhe me koncerte.

Kam punuar dhe kam luftuar shumë. 

Është Eurovisioni në fokusin e tij si artist?

Absolutisht, është edhe ka qenë gjithmonë në sirtar si ëndërr. Një ditë do e realizoj, kur ta ndiej unë që jam i gatshëm dhe kur të ma thotë zemra. Cilido artist që thotë se nuk do të shkojë në Eurovision gënjen. Është sfidë dhe përgjegjësi më vete. 

A ka ndierë xhelozi ai si artist në tregun muzikor?

Sigurisht, edhe sy më sy duke ndryshuar fjalët duke bërë intriga, gënjeshtra dhe manipulime. Shkon duke u mësuar edhe me një karakter shumë të fortë, stabël dhe të vendosur ti i injoron këto. Ndonjëherë me shqiptarët është shumë çuditshëm sepse edhe unë vetë jam shqiptar por të bashkëpunosh e bëjnë shumë problem nuk e di pse nuk e kuptoj. Është kjo pjesa e egos artistike. Tani më falni për shprehjen por nuk më plas fare të flas publikisht për çdo gjë sepse kam hequr shumë për të arritur këtu ku jam dhe jam shumë krenar për suportin e familjes që më ka dhënë, investimin, punën dhe mundin. 

Kur u pyet në lidhje me jetën e tij personale dhe nëse është i lidhur apo jo, David zgjodhi të tregohej mjaft i sinqertë duke thënë se:

Momentalisht jam i fokusuar seriozisht në karrierë. Nuk e kam problem ta them, por jam shumë i fokusuar në projektet që do të lançoj këtë vit. 

David gjithashtu zbuloi se përveç muzikës ai mendon se ka ardhur momenti që të angazhohet edhe në botën e kinematografisë dhe pse jo edhe në ‘reality show’ por që më shumë dëshirë kishte pjesë e filmit.

Më vonë e shoh veten tek filmi. E kam me shumë dëshirë.