Sot në emisionin “Live from Tirana” në Top Albania Radio ishte e ftuar në studio këngëtarja e njohur Ronela Hajati e cila vetëm disa ditë më parë ka publikuar një nga këngët e saj më të reja të titulluar “TQR”. Duhet thënë që kjo këngë është pritur mjaft mirë nga publiku dhe është një ndër 5 këngët e preferuara të këngëtares.

Teksti është i bukur, fakti që njerëzit përqendrohen tek “TQR” atë kanë qejf. (qesh) Kjo këngë edhe pse ngjan si me të sharë që është e censuruar, e gjitha është si hakmarrje në sensin artistik. Kënga është artistike.

Projektet e reja të Ronelës?

Duhen finalizuar disa projekte dhe klipe. Jemi shumë të zënë por jemi mirë.

Zgjedhja e dytë ishte “Is this love” nga Whitesnake.

Është një këngë që nuk ia kam dedikuar askujt dhe sa herë e dëgjoj më bën shumë romantike. Nëse martohem ndonjëherë do të jetë patjetër valsi im i dasmës. Edhe mund të kem bërë ndonjë dedikim në fshehtësi. (qesh)

Zgjedhja e tretë ishte “Dirty Diana” nga Michael Jackson.

Çdo këngë e tij është OK për mua. Kam qarë shumë pasi ai ndërroi jetë. Me Michael jam prezantuar për herë të parë me muzikën. Kur kam bërë 4-vjeçe i kam thënë mamit ‘unë këtë e dua’. Jam e tërhequr pas artistëve që janë Virgjëreshë në Horoskop.

Si e ka menduar Ronela martesën e saj?

Në një dasëm të madhe në Kishë. Çdo vajzë e mendon martesën, unë jam vajzë e vetme dhe po erdhi dita që unë do të martohem fisi im do të çmendet.(qesh) Do të më pëlqente diçka intime me më shumë shoqëri sesa fis sepse ata e bëjnë dasmën. Është ditë që dua ta kem në memorie, që e kam kaluar me qejf. E kam menduar me një goxha personazh në krah, jo kshu kot. Duhet të jetë i mirë, i bukur dhe me punë. Duke kaluar jeta duhet të bësh kompromise ose nuk do ndodh kurrë dasma.(qesh) Do të kisha qejf të kisha një njeri të zotin. Unë e dua shumë punën, kam dëshirë t’i arrijë gjërat me forcat e mia. Dua që një arritje ta kem në emrin tim dhe atë që do të kem në krah të jetë edhe më lartë se mua.

Eurovisioni këtë vit në Liverpool, komenti i Ronelës për këngën shqiptare?

Momenti i parë që ti shkon kalon një presion të madh, është ndryshe përgatitja. Albinës dhe familjes së saj i uroj suksese, mendoj që do të shkojë në finale. Në natën që ato do të këndojnë, pozicionimi, ka gjithë familjen, është diçka e veçantë. Kur shkon dhe shfaqesh aty do presësh dhe të mirat dhe të këqijat. Po nuk krijove një lloj problematike dije që nuk ke bërë diçka të saktë. 

Ndërkaq, zgjedhja e katërt ishte kënga “Get busy” nga Sean Paul.

Kam qenë metalare, e çmendur pas rrokut. Dëgjoja Nirvana, e çmendur pas Marilyn Manson. Kur e kam dëgjuar këngën e Sean Paul thash çfarë është kjo muzikë dhe nga ai moment ndryshova, studiova për regen, regatonin. Sean është një nga influencuesit e mi më të mëdhenj sa i përket muzikës që unë bëj.

Zgjedhja e pestë ishte kënga “Oh no, What you got” nga Justin Timberlake.

Kjo këngë më ka shoqëruar gjatë gjithë periudhës së gjimnazit. E kam pasur ‘crush’ Justin. (qesh) Kur kam parë koncertin e tij në Frankfurt, është një nga artistët më të mirë që më kanë dëgjuar veshët e më kanë parë sytë. 

Ndërkaq, pak ditë më parë Ronela doli me një deklaratë ku mbrojti miken e saj, Dea Mishel Hoxha pasi pati një bum komentuesish që gjykonin sjelljen e banores së edicionit të dytë të “BBV”. Si e ka parë Ronela Dean?

Unë aty brenda shumicën i kam miq dhe nuk di kujt t’i mbajë anën. (qesh) Dean e njoh më shumë nga të gjithë dhe kur e njeh mund të flasësh në një perspektivë pak më bindëse. Ajo ka një qetësi të çmendur që ndonjëherë edhe të acaron por është tipar i mirë që aty duhet ta kesh patjetër. Unë nuk jam aq e qetë sa Dea. Dea është e edukuar, ka gabimet e veta sepse të gjithë njerëz jemi në fund të ditës. Banorët aty marrin komente të tmerrshme nga njerëzit jashtë. Më vjen keq për ata kur të dalin dhe t’i shohin. Nuk e kuptoj fare këtë mllefin që kanë.

Për kë bën tifo Ronela në këtë pikë të lojës?

Luizi është nga strategët më të mirë, më pëlqen. Është sjellur me shumë zgjuarsi, edhe kur ka qenë me nerva dhe kjo duhet përgëzuar. Ka pasur gjithmonë humor, kur më ka rastisur ta takoj dhe ta përshëndes ka qenë gjthmonë i qeshur dhe me batuta.

A do të kishte një bashkëpunim mes Ronela Hajatit dhe Luiz Ejllit?

Ne zërat mund të na përshtaten por për bashkëpunim mendoj që jo. Për bashkëpunim do t’i turret i gjithë showbiz-i. (qesh)