I ftuar në emisionin “Ndryshe” në Top Albania Radio ka qenë artisti i njohur Yll Limani. Në këtë intervistë ekskluzive ai ka zbuluar shumë detaje jo vetëm sa i përket muzikës, albumit më të ri por edhe nga jeta personale dhe lidhjet. Këngëtari nuk u rezervua aspak me përgjigjet e tij të sinqerta.
Në fillim të intervistës artisti u shpreh se në Shqipëri ndodh shpesh që t’i ngatërrojnë emrin, dhe arsyeja ështe se:
Emrin Ylli nuk ma kanë vendosur kurrë. Unë e kam Yll, vetëm Yll pa ‘i’. Gjithmonë në Shqipëri e thoni Ylli Limani. Gjithë kohën më keni prezantuar gabim. Edhe kur shkoj në ndonjë event e shikoj nga pas aty Ylli Limani dhe them gjithmonë është Yll pa ‘i’.
A do të kishte dashur Yll Limani të këndonte në Festivalin Kombëtar?
Unë kam kënduar njëherë, kam marrë pjesë me këngën “Shiu” dhe asokohe pata fituar vendin e tretë. Në vitin 2017-2018. Ishte hapur konkursi, e kisha këngën dhe mendova që po shkoj. Fitova vendin e tretë dhe pastaj nuk është se kam marrë pjesë më. Nuk po them që nuk kam për të marrë pjesë më, por kur të vijë koha dhe radha.
Edhe Kosova po, ka një Festival fundviti, por Kosova nuk është ende e pranuar në Eurovision. Po ndërtohet rruga, ka qenë më duket viti i tretë këtë vit që po mbahet. Jam shumë kurioz që të shikoj me Kosovën çfarë do të ndodhë kur të pranohemi.
Mendon Yll Limani se Festivalet nuk janë në stilin e tij momentalisht?
Nuk e di, bota është duke lëvizur shumë shpejt dhe trendet e muzikës sidomos kohët e fundit nuk është se janë dhe aq të qarta se çfarë ecën dhe nuk ecën. Nëse më herët ka funksionuar në formulë e këngës ose e paraqitjes pak a shumë e ke mundur ta parashikosh se çfarë suksesi mund të kesh.
Sidomos ky vit e ka dëshmuar se jo vetëm në Eurovision por edhe në playlista-t e Spotify, YouTube kurrë nuk i dihet se çfarë ‘ndez’. Normalisht që dëshirë do të kisha pasur që të merrja pjesë me një këngë që është shumë moderne, që kalon mirë edhe në Festival, edhe në publikun shqiptar, por edhe kur dëgjohet në Eurovision.
Do të merrte pjesë te Festivali i Kosovës që të shkonte në Eurovision më pas?
Nuk e kisha thënë këtë, nuk ka lidhje sepse Kosovë-Shqipëri prapë një lloj festivali dhe i njëjti popull jemi si nëse konkurrove për Kosovën si për Shqipërinë. Por normalisht që do të kisha dashur që të jemi më modern.
Kur ishte pikërisht momenti që Yll Limani kuptoi se muzika ishte rruga e tij për të ndërtuar karrierën?
Kur përfundova studimet në universitet, katër vite studime për Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. Dy vitet e fundit isha i torturuar sepse nga njëra anë ka qenë dhe ajo ambicia për të pasur një diplomë dhe të bëja veten dhe familjen krenar ishte tepër e madhe. Por nga ana tjetër në çdo ligjëratë, kohë dhe orë muzika sikur më thërriste. E mbaj mend që kur prindërit e mi kanë ardhur në ceremoninë e diplomimit shumë krenarë dhe të lumtur. Babai im shumë optimist, për vete këngëtar, i kishte bërë të gjitha qejfet dhe muzikën. Kur mbarova ishte shumë optimist për hapin e radhës që çfarë do të ishte.
E mora dhe ia ka dhënë diplomën duke i thënë: “Kjo është dhurata ime për ty” dhe ndoshta kurrë nuk do të na duhet sepse unë nuk mundem që të mos e provoj që të jap 100% në muzikë. Deri në atë peridhë isha mbrojtur pak që muzikën e kam thjesht për qejf. Pikë së pari ishte ajo frika që duhet t’i thoje vetes që e dua këtë gjë 1oo% që ta bëj dhe është një mal goxha i madh për ta kaluar. Por kur u përballa me atë realitetin e jetës që tani duhet të vendosësh sepse nuk mundesh që të vazhdosh gjysmë këtej dhe gjysmë andej. Ndaje mendjen, dhe i thashë që “Bën që 1 ose 2 vite 100% t’ia jap muzikës”. Brenda vetes e dija që mund të arrija sot këtu ku jam, por duhej ajo puna dhe ai dedikimi 24/7 që unë mendoj se jo vetëm në muzikë por në çdo profesion duhet ta bësh nëse do të jesh i suksesshëm dhe ja ku jemi.
Në Shqipëri apo në Kosovë të ftojnë më shumë?
Në Shqipëri e kam prekur për herë të parë ëndrrën kështu që kam qenë më i ekspozuar këtu. Në Kosovë ka ardhur një ose dy vite me vonesë. Shqipëria e ka pasur gjithmonë skenën në sensin e asaj që ka ofruar mundësi dhe për artistë që ndoshta nuk e kanë pasur mundësinë dhe kushtet ekonomike për të krijuar videoklipe të mëdha dhë të shtrenjta. I ka pasur skenat e veta si në talent shoë po ashtu edhe në festivale. Sot nuk mundem ta bëj atë diferencë. Ma bëjnë shumë shpesh këtë pyetje, por tani për mua është e njëjtë.
Çfarë mendon se e dallon Yll Limanin nga artistët e tjerë?
Nuk e di, kam qenë gjithmonë ndoshta më specifik. Të gjithë njërëzit në stinën e vjeshtës dhe të shiut, të ftohtit e kanë lidhur me Yllin, me këngët e mia, me albumin. Nuk di të flas për vetën në kuptimin e mirë të fjalës. Ndoshta tekstet, ndoshta ngjyra e zërit që është meritë e Zotit nuk është e imja. Unë vetëm kam ditur ta përdor mendoj. Është meritë edhe e prindërve të mi.
A ndihet në presion Yll Limani që gjithmonë duhet të sjellë hite?
Presioni është aty, të gënjej nëse them që nuk është. Ndodh që dy ose tre ditët e para të humb pak rrugën kur shkoj në studio për të krijuar ndonjë projekt që ka për të dalë. Këto këngët ta hanë shpirtin sepse duhet që në pak minuta, në 2 minuta e pak sekonda ose në tre ti të thuash shumë gjëra dhe t’ju pëlqejë të gjithëve, për të bërë klikime dhe gjithçka. Fati im, pa dashur që të bëhet klishe është që unë jam i rrethuar nga njërëzit që gjithmonë më kujtojnë qëllimin që çfarë kemi për të bërë përmes muzikës. Disa pritshmëri duhet që t’i përmbushësh por sa herë që futesh në studio për të bërë një hit thjesht nuk del. Është diçka hyjnore, mendoj që nuk krijon je me një frekuencë hyjnore shumë afër me Zotin.
Këngët e mia më të suksesshme, hitet nëse mundet të them janë ato që kanë lindur dhe janë bërë për të na pëlqyer ne në studio. Ndryshe nuk do të kisha arritur që të bëja kaq shumë këngë që njerëzit i pëlqejnë.
Shumë thonë se këngët e Yll Limanit janë tejet personale, a ka pasur ndonjeherë frikë nëse po tregon më shumë se ç’duhet nga vetja?
Jo, nuk e kam problem. Kur shkruan, të vjen ga ngjarje të jetës sime, nga çfarë shoh dhe çfarë ndjej. Pretendoj dhe mbahem që jam dëgjues shumë i mirë. Mundohem pak që të hy në lëkurën e njerëzve si ndihen në situatat që kalojnë në jetë.
Për artistin cilat janë tre këngët më të preferuara?
“Najher”, nuk e di ndoshta të albumit të fundit i dua pak më shumë sepse janë pak më të freskëta. Më pëlqen “Mjegulla”, “Kthem”, “Ditë e natë”. Sa i përket këngës “Larg” është një histori shumë interesante, e kemi përfunduar në Mars dhe nuk është këngë që i përmbush kriteret kështu të verës. Ka qenë një ditë e ftohtë marsi, shkova në studio dhe po përgatiteshim për të bërë këngët e verës, pak më ritmike. Por ishin perdet që lëviznin në studio nga era dhe shiu, ndërkohë që dëgjohej një ‘beat’ reggaeton. I thashë që të ndalonin sepse nuk po përkonte asgjë.
Në çdo intervistë Yll Limani vjen mjaft i sinqertë si rrëfimtar i emocioneve të tij, po a është ka real dhe i drejtpërdrejtë?
Jo. Nuk e di çfarë ndodh kur shkruaj dhe kur krijoj që iki në njëfarë bote. Mund të jem në disponimin më të mirë kur shkoj në studio, por gjithmonë reagoj tek këngët më reflektuese dhe te ato tekste që janë pak më të thella. Por unë në jetën e përditshme jam shumë i lumtur dhe i qeshur. Kur njerëzit më ndalojnë më pyesin për çfarë vuan dhe pse. Wshtë pyetja që më bën nervoz më së shumti, është njëfarë pretendimi që unë gjithë ditën jam duke qarë.
Siç shumë njerëz kanë preferenca të një zhanri të filmit që shikojnë ose të muzikës që dëgjojnë. Unë në këtë rast gjithë jetën kam reaguar te këngët më melo-dramatike. Kur krijoj unë hy në një frekuencë që është pak më e ndjeshme, pak më emotive. Kam pasur dhe unë eksperienca të dhimbshme në jetë kur kam qenë viktima, kam bërë edhe unë gabime ndaj dikujt. Se di por çfarëdo që më ndodh mua apo edhe që e dëgjoj përreth e marr, e shkruaj, e trajtoj, e dramatizoj, e hiperbolizoj. Ndonjëherë them ndalo.
Ka refuzuar ndonjëherë Yll Limani ndonjë këngëtar për bashkëpunim?
Bota është shkallë shkallë, dikur ia ka pasur inatin shumë këngëtarëve që thonin ‘jo’ për bashkëpunime. Tani me kalimin e kohës, e kupton që edhe ti gjendesh në situata që duhet t’i thuash ‘jo’. Ka pasur raste kur kënga nuk ka qenë e duhura, koha po ashtu, apo nuk më ka pëlqyer bashkëpunimi por nuk jam i pasjellshëm dhe nuk jam as arrogant që të më ketë hipur vetja në qejf. Unë i thërras vetë këngëtarët për bashkëpunime, kurdo që është momenti dhe kurdo që është një këngë ku mundem të ndjej zërin e dikujt e bëj. Kur nuk më pëlqen nuk e bëj.
Është i lidhur Yll Limani? A ka të dashur?
Momentalisht jam single. Këto dy vitet e fundit kam pasur ulje – ngritje në atë departament. Në fakt tani kam shumë qejf të them të drejtën që siç thonë njerëzit të rehatohem. Çfarëdolloj përpjekje që e bëj, nëse shkruaj, nëse dal ose nëse flas me ty, përfundimi është që të jetë diçka serioze dhe diçka me kuptim që zgjat dhe që është një lloj qendre e ditës dhe e jetës.
Ka ndodhur ndonjëherë që lidhja e tij e dashurisë të mos ketë funksionuar për shkak të karrierës?
Ajo është gjithmonë problematike dhe pengesa sepse nuk e fajësoj fare këdo që ka problem me dinamikën dhe jetën si ne artistët. Mendoj që sa më shumë të dinë njerëzit aq më shumë energjia shterron.
Dahuria në jetën reale është më e komplikuar se sa ajo në këngë sipas tij?
Është! Unë jam më i komplikuar, mundohem që të mos bëhem dhe shumë toksik. Tani sa më shumë kalon kohë, aq më shumë i shëndetshëm duhet të bëhem.