Duket se gushti shënon kulmin e publikimit të projekteve muzikore nga ana e artistëve shqiptar.
Jemi në javën e 85-të të klasifikimit të “The Top List”, ku nga java në javë kemi projekte të reja muzikore që i shtohet listës zyrtare të “Top Awards”. Kjo javë është futur në histori, duke qënë java që ka më shumë prurje të reja në klasifikim.
8 projekte të reja i janë shtuar listës së 50 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare, duke lënë jashtë disa prej projekteve që për një kohë të gjatë ishin pjesë e klasifikimit. Përveçse janë futur për herë të parë në listë, disa prej këtyre këngëve janë renditur mjaft mirë.
Prurja më e re që ka korrur më shumë sukses është publikimi më i ri i Babastars, “High 4 Real”, i cili është renditur menjëherë në vendin e 10-të.
Një pozicion të rëndësishëm ka zënë edhe bashkëpunimi më i ri i Gjikos me Nora Istrefin, projekti i të cilëve, i titulluar “Gabime”, pozicionohet në vendin e 20-të. Gjithashtu sugjerime të shumta ka marrë edhe “Katile” e Majk, e cila është renditur menjëherë në vendin e 22-të.
Ndërsa sa i përket projekteve të tjera si “Bubble” e Dhurata Dorës, “Benzina” e Luana Vjollcës, “Sexy” e Getinjos, janë pozicionuar përkatësisht në vendin e 35-të, 50-të dhe të 40-të.
Në klasifikimin e kësaj jave janë gjithashtu edhe dy artistë të rinjë, me projektet e tyre të para muzikore. Mirud dhe Jon Ajdini janë futur për herë të parë në listë.