Naser Berisha është padisktuim një emër mjaft i njohur në muzikën shqiptare, këngët e të cilit datojnë që prej vitit 1986-të. Së bashku me grupin “rock”, “Premiera”, i cili ishte pjesë e tregut muzikor deri në vitin 1993-të, Naser Berisha ka prodhuar këngë që i kanë rezistuar kohës dhe ende shijohen nga publiku shqiptar.
Së fundmi, përvec projekteve të reja muzikore, artisti ka vendosur që të sjellë versionet akustike të disa prej këngëve më të njohura të tij dhe një ndër do është “Do te doja”. Falë sugjerimeve të shumta nga ana e publikut, kënga ka arritur t’i bashkohet “Top Awards”, duke e rikthyer Naserin në klasifikimet muzikore pas 11 vitesh, i cili kryesonte top listat.
I kontaktuar nga “Top Awards”, artisti ka rrëfyer më shumë rreth rikthimit në muzikë, planet në ardhmen si edhe ka dhënë mendimin e tij për muzikën që qarkullon sot në tregun muzikor shqiptar.
TA: Duam të dimë pak më shumë për Naser Berishën, ku ndodheni momentalisht dhe si ka vijuar jeta juaj?
Naser Berisha: Duke qënë se në Kosovë ishte gjendje e jashtëzakonshme politike dhe në Ish-Jugosllavi filloi lufta, unë në vitin 1993-të migrova për në Gjermani, ku edhe sot jetoj me familjen. Ishte një kohë pa kohë, në atë kohë ishte shumë vështirë të kishte veprimtari artistike.
Grupi “rock” “Premiera”, të cilin e kishim themeluar në vitin 1986-të, se bashku me disa shokë të shkollës së mesme, pushoi se vepruari. Ky grup punoi dhe veproi për 7 vite me radhë (1986-1993), ku gjatë asaj kohe kishim disa inçizime në studion profesionale dhe të vetme shtetërore të asaj kohe e RTP/RTK, por njekohëssiht kishim edhe shumë paraqitje para publikut.
TA: “Do te doja” një këngë që daton rreth 11 vjet më parë, pse vendosët ta risjellnit? Në fakt disa këngë të vjetra por që i kanë rezistuar kohës?
Naser Berisha: “Do të doja” është shkruar dhe kompozuar nga unë në vitin 1992-të, ndërsa për herë të parë është publikuar në albumin tim të parë në vitin 2000. Sa i përket videoklipit, është bërë një vit më vonë. Ndërsa jetëgjatësia e këngës, besoj se “receta sekrete“ është se dikur këngët janë shkruar për t’u dëgjuar e jo për t’u parë, me përkushteshmëri maksimale, dhe në atë kohe diku 10 muzikantë kemi punuar afër një vit në pregatitjen e 8 këngëve dhe e njëjta ka ndodhur edhe me albumin e dytë në vitin 2002, ku si hit i madh nga albumi i dytë doli kënga “A me kujton“ apo sic njihet ndryshe edhe si “Bjondina ime“.
TA: Pas sa kohësh i jeni rikthyer muzikës?
Naser Berisha: Realisht në mes të albumit të dytë dhe të tretë kishin kaluar 4 vite (2002-2006) por edhe në atë kohë kisha prodhuar këngë “solo”, kurse komplet pauzë nga muzika kisha nga viti 2007-2011 për shkak të një semundjeje “Alopecia”, e cila më ndryshoi thuajse komplet në dukjen fizike, në atë kohë e kisha të vështirë të merrem me muzikë, pasi shpirtërisht isha i thyer dhe më mungonte besimi në vetëvete dhe fuqia që të shkruaja dicka.
TA: Cdo të thotë për ju t’i riktheheni klasifikimeve muzikore?
Naser Berisha: Realisht kjo tani është një formë dhe mënyrë tjetër e votimeve, shumë më shumë pjesëmarrës dhe mënyra shumë më e lehtë. Dikur për një votim nuk mjaftonte një klikim te një buton, duhej të merrje kohën që të telefonoje apo përmes e-mailit.
Kurse tani edhe ashtu më pak dëgjohet zhanri i muzikës, të cilën unë e bëj, kurse dikur mendoja se shumica e këngëve të mija qëndronin me javë të tëra në krye të top-listave zyrtare nëpër radiot dhe televizionet kombëtare në Kosovë.
TA: Cili është mendimi juaj për muzikën që qarkullon momentalisht në tregun shqiptar?
Naser Berisha: Ka shumë kohë që muzika është degraduar nga “Nje këngë e mirë me një klip përcjellës“ në “një klip i (mirë) e i kushtueshëm me pak muzikë në prapavijë” por këtë nuk e filluam ne. Për ta forcuar akomë më shumë këtë teori timen, janë komentet e të rinjëve e të rejave kur publikohet ndonjë këngë e re, nuk thonë se a e ke dëgjuar këngën e re të XY, por në shumicën e rasteve përdorin fjalën “a e ke parë klipin e ri të XY”.
TA: Cilat janë planet tuaja?
Naser Berisha: Për momentin jam duke punuar në albumin tim të 4-t, ku derimë tani i kam të përfunduara 6 këngë, kurse kënga e parë është publikuar para 7 javëve me titullin “Himni i nënës“ dhe tani këto 2-3 ditë do të publikohet kënga “Në të mirë e në të keq”, e cila do të jetë e shoqëruar me një klip.
Gjithashtu nëse nuk komplikohet situata për shkak të pandemisë, plani është që diku gjatë muajit gusht të publikohet albumi, së bashku me një koncert përcjellës.