I ftuar nëpërmjet një lidhje me Skype për emisionin “Lancio” në Top Albania Radio, ka qenë artisti i njohur Arbër Salihu, apo siç njihet me emrin e tij të artit, La Fazani. Një artist shumë unik dhe që dallon në tregun muzikor. La Fazani foli më shumë për karrierën e tij, por dhe jetën personale…
Si ndihesh ti si artist në ditët e sotme, sa larg mendon se ke shkuar me muzikën tënde?
Gjithmonë ke dëshirën të shkosh më larg se ku je. Përgjithësisht është treg i vogël në gjuhën shqipe, do kisha qejf të mos ishim 8 milionë shqiptarë por të ishim 800 milionë shqiptarë, në këtë mënyrë do ishte më e lehtë për mua që ndoshta nuk bëj muzikë që është për masat. Kur ka treg më të madh ka më shumë kuptim të ketë lloje të ndryshme të artistëve. Ne në shqiptari kemi ende punë për të bërë për të krijuar mini tregje. Por unë jam i kënaqur, kam fan base-in tim, kam njerëz që dëgjojnë muzikën time. Jam shumë i lumtur që bëj muzikë, kjo është gjithçka që kam dashur prej jetës. Sfidat janë gjithmonë aty, si të kesh 2 fansa, si të kesh 2 bilionë fansa.
Si ka evoluar arti yt që kur ishe pjesë e grupit Oborri?
Oborri është një pjesë e rëndësishme e karrierës sime. Ajo ka qenë krejt tjetër botë, ai ka qenë një farë universiteti për mua, aty kam mësuar si të prodhoj muzikë, e kam marrë kompozimin në një nivel më serioz. Oborri ka ndodhur në fazën prej 2014 deri në fund të 2017. Kemi punuar për dy vite e gjysmë një album shumë të madh, shumë të gjatë, shumë të punuar mirë. Është album në të cilin kemi dhënë gjithçka, kemi hyrë në detaje kur vjen puna tek produksioni, prandaj them që ka qenë fakultet më vete. Pas Oborrit, të dy kemi ikur të jetojmë jashtë Kosovës, unë kam jetuar një vit në Vietnam. Shumë prej këngëve që i kam lançuar, këngët e fillimit të La Fazanit, duke përfshirë “Hajde me shuplakë”, i kam shkruar kur kam qenë në Vietnam. Kur kam shkuar në Vietnam jam ekspozuar në të tjera rryma të muzikës, kam bashkëpunuar me muzikantë të tjerë, kam bërë më shumë muzikë për ahengje. Me Oborrin kemi qenë shumë introvertë me muzikën, në Vietnam u çela shumë, që të kem një ritëm, t’i bëjë njerëzit me lëvizë.
A është arti terapi për ty?
Është edhe terapi, nuk është vetëm terapi. Çdo njeri e përjeton ndryshe muzikën, unë jam njeri shumë emocional, që kur kam lindur. Muzikën e kam përjetuar shumë thellësisht. Një këngë e lumtur, një këngë më e pikëlluar, gjithmonë është në gjendje ta theksojë emicionin tënd në një kontekst të caktuar dhe të të bëjë të ndihesh më pak i vetmuar. Ti mundesh të jesh vetëm dhe të dëgjosh një këngë e të ndihesh sikur nuk je vetëm. Përveç kësaj, kur jam rritur dhe më janë zhvilluar mendimet politike e shoqërore, e kam parë muzikën si një formë shumë të mirë për të pasqyruar realitetin e shoqërisë. Ne jemi shqiptarë, jetojmë në Ballkan, shohim gjëra të çmendura.
Së fundmi ke realizuar “Ismeti i vërteti”, versioni shqip i këngës së Eminem “Slim Shady”, pse kjo zgjedhje?
Këtë këngë e performoj nëpër koncerte, gjithmonë më është dukur interesante. I gjithë publiku e pëlqen kur e këndoj. Më është dukur interesante të bëj një karakter shqiptar me predispozitat më jo të bukura të përditshmërisë. Ismeti është një emër pak më ‘old school’.
A ke vërejtur diferenca sa i përket stileve tuaja personale, me vëllain tënd Genc Salihun, dhe a ndërthuren ato?
Kur kam filluar të bëj muzikë, kam filluar tërësisht në stilin e Gencit dhe një pjesë e imja e veprimtarisë artistike muzikore, është e bazuar në krejt çfarë Genci ka arritur të bëjë. Këngët e tij i kanë çuar këngët shqipe në një nivel që nuk kanë qenë më herët. Unë e kam studiuar shumë çfarë ka bërë Genci dhe e kam përvetësuar. Dallimi im me Gencin, është se jam pak më i gjerë në çfarë dëgjoj muzikë, kam dëgjuar rryma të ndryshme, pop, indiane, hip hop.
Së fundmi je bërë dhe baba i një vajze, si ka ndikuar prindërimi në jetën tënde?
Si ka ndikuar, ende nuk e di. Jam bërë baba që prej 3 muajsh tashmë, është ndjenjë shumë e madhe, shumë e fortë, shumë ndryshe nga sa e kam pritur. Në shumë nivele shumë në rregull, por në disa të tjera që nuk i kam pritur është siklet, jo lehtë, duhet të jesh gjithmonë prezent. Ndjenja është shumë e fuqishme, më ka pjekur, nuk kam më mundësi të sillem si kalama (qesh).