I ftuar mëngjesin e sotëm në studion e “Wake Up” ka qenë këngëtari Mr. X, i cili karrierën e tij e ka filluar që në Top Fest 11, e më pas ka vijuar me projekte të tjera solo dhe bashkëpunime. Ai ka publikuar projektin e tij më të ri me titullin “Pa ndjenja”, për të cilin na ka folur më shumë…
Si lindi ky projekt?
Ishim në studio me djemtë në Athinë, e kemi bërë në 2-3 versione. Në fund e pamë që u lidh mirë ky teksti i dashurisë. Nuk i dedikohet dikujt. E kam shkruar vetë si projekt. Dikush që është i vrarë në shprit dhe do të rrëfehet diku, e bën nëpërmjet kësaj muzike, teksti.
Këngët që pëlqehen më së shumti janë ato të dashurisë. Prandaj dhe ne si artistë përshatetemi më shumë, shkojmë tek këto tekste.
Ti ke lindur në Greqi, si ka qenë për ty të vish në Shqipëri për të kënduar, duke i kthyer pas në kohë që nga Top Fest?
Për mua nuk ka qenë e thjeshtë të marr pjesë në Top Fest, por dhe deri pak më vonë, kur njoha Stinen. Ai më ka ndihmuar shumë. Nuk ka qenë shumë e thjeshtë sepse unë nuk njihja askënd këtu. Pastaj arrita këtu ku arrita dhe jam i kënaqur.
Çfarë vendi zë Shqipëria tek ti?
Po të jetë për muzikën, jemi ‘on top’, jemi më të mirët në Evropë. Edhe si shtet jemi të ngritur, jemi goxha mirë.
Ku është xhiruar klipi i “Pa ndjenja”?
Në majë të malit të Korabit, shumë lart por shumë bukur. Ishte shumë vend i bukur, unë isha për herë të parë, nuk kisha shkuar ndonjëherë në veri. Xhirimet i kemi bërë brenda një ore e gjysmë.
Çfarë projektesh të tjera do të sjellësh në vijim?
Kam një projekt me Alandyn. Kam një bashkëpunim me një djalë tjetër shumë të talentuar, që jeton në Greqi, kam bërë dy bashkëpunime më parë me të. Më pas do të nxjerr një këngë solo.
Ti ke sjellë dy bashkëpunime me Stinen, “Adrenalina ime” dhe “Gocat”, sa të ka mbështetur ai?
Unë kam njohur shumë personazhe në jetën time, por nuk kam pasur mbështetje, isha thjesht një emigrant dhe ishte shumë e vështirë të më hapte dyert dikush. Ai ka qenë i vetmi dhe unë e kam quajtur vëlla që në atë moment. Ai më ka konsideruar si pjesëtar të familjes që kur më hapi dyert e studios. Është një djalë pozitiv dhe unë e respektoj jashtëzakonisht shumë. Dhe njerëzit që nuk e kanë njohur akoma dhe po e njohin nëpërmjet “Big Brother VIP”, e kuptojnë që është shumë pozitiv.
Si të duket se po ecën brenda lojës?
“Big Brother” sapo ka filluar, jemi në hapat e parë, mund të hyjnë dhe banorë të tjerë. Por Nesti so të shkojë në finale. I uroj fitoren. Mënyra si po luan tani është shumë e mirë. Të gjithë e kanë nxjerrë ndonjë ngacmim apo ndonjë thumb ndaj njëri-tjetrit, ndërsa ai është i vetmi që nuk ka nxjerrë ndonjë fjalë të keqe nga goja. Po luan, është pozitiv, është argëtues, i kam parë videot, po e ndjek hap pas hapi. Nuk e prisja që të hynte por m’u bë qejfi shumë.