E ftuar në emisionin “Ndryshe” në Top Albania Radio ka qenë Arsi Bako. Edhe pse një artiste e re në tregun muzikor, Arsi Bako u shpall fituese e Festivalit të Këngës në RTK, duke rrëmbyer zemrat e publikut me interpretimin e saj të ndjeshëm dhe prezencën e fuqishme skenike. Kënga e saj u vlerësua për melodinë e veçantë, mesazhin e sinqertë dhe stilin unik që e dalloi mes konkurrentëve. Një moment i rëndësishëm për karrierën e saj artistike, që shënon një hap të ri dhe premtues në muzikën moderne shqiptare.
Si erdhi ky çmim i parë për të, edhe pse ajo është është ende në hapat e parë si artiste e re në tregun muzikor?
Ka ardhur i papritur, duke qenë se shkon në një vend të pahuaj dhe nuk pret të kesh atë mbështetje që unë pata. Ndoshta edhe pritet sepse Shqipëria dhe Kosova janë shumë të lidhura bashkë. Duke qenë se jam artiste e re dhe nuk njihesha më parë në Kosovë, edhe në Shqipëri sado që njihem, sërish nuk kam një audiencë të gjerë.
Duke qenë se Kosova nuk është ende në Eurovision, Arsi Bako shtoi më tej:
Nuk është pjesë, por qarkullojnë fjalë. Mesa di unë nuk është konfirmuar ende aplikimi i Kosovës ende për në Eurovision. Kështu që asgjë nuk është e sigurt.
Si ishin përjetimet e saj gjatë këtij rrugëtimi në festival?
Derisa shkova në Kosovë nuk e prisja. Isha shumë e lumtur me këngën. Më pëlqente shumë. Më ngjiste. E kam përvetësuar, e bëra timen. Gjatë gjithë procesit, kam qenë bashkë me Gjergjin që po punonim këngën, pra kam qenë shumë e përfshirë. Nuk mendoja se do perceptohej siç duhet nga publiku i gjerë dhe do kishte këtë pëlqyeshmëri që pati. Sa shkova në Kosovë për provat e para, kam parë reagime, që filluan të më rrisnin pritshmëritë, nga stafi, nga banda, nga orkestra. Të gjithë më thonin që ‘na ka pëlqyer kënga jote’.