Me Durim Morinen ose Mirud, siç njihet në fushën e muzikës, jemi njohur falë projektit muzikor “Ti me harro”, i cili u pëlqye mjaftueshëm nga publiku shqiptar. Ky projekt muzikor qëndroi në “The Top List” për 3 javë rresht, duke u kthyer sërish këtë javë në klasifikim dhe duke u pozicionuar në vendin e 89-të.
Por Mirud është rikthyer në qendër të vëmendjes falë një tjetër projekti muzikor, i publikuar prillin e këtij viti. “Puzzle”, titullohet kënga më e re e Mirud në “The Top List”, e cila të sjellë në mendje stilin e artistit me famë botërore, Sam Smith.
I pyetur rreth kësaj ngjashmërie, Mirud ka thënë për “Top Awards”, se pavarësisht se ai është komentuar nga fansat për këtë ngjashmëri, vetë ai nuk e kishte vënë re këtë fakt por ai ka shtuar se Sam Smith është frymëzimi i tij, sa i përket teksteve të këngëve.
Përveçse është pjesë e “The Top List” këtë javë, “Puzzle” është një këngë që është renditur mjaft mirë edhe në një prej klasifikimeve muzikore në New York.
Ndërkohë që ende po shijon sukseset e këtyre dy projekteve muzikore, Mirud ka vendosur të vijë akoma më fuqishëm në dy projektet e ardhshme. Njëri prej tyre, do të jetë një bashkëpunim me Elhaida Danin, i titulluar “Ruby”, ndërsa tjetri, “Ende te dua”, do të dalë në dy versione, anglisht dhe shqip. Kjo këngë është punuar nga Michael Levy, i cili ka punuar me Justin Bieber për këngën “What do you mean”. Ndërsa videoklipet e të dyja këngëve do të xhirohen nga “Max Ferigo”, kompani e cila ka punuar me Madonna-n, për disa projekte muzikore.
https://www.youtube.com/watch?v=XHTPsOR5GwI