E ftuar në “Pardon My French” ishte Marsela Çibukaj për të folur për albumin e ri “PETALE”. Ajo tregoi më shumë për këngët dhe zbuloi se nga është frymëzuar. Ajo u shpreh për “The Voice”, dëshirën për rikthim të Top Fest, e shumë të tjera.

Sa i përket albumit të ri “PETALE”, Marsela tha:

Këngët do t’i lançojmë javë pas jave. Këtë të diel del “Fajet”. Janë katër këngë të bukura dashurie, me atë dashurinë melankolike, një dashuri më llogaritare në sensin e përfundimit të një dashurie. Në këngët “Petalet” është një dashuri pak më ‘vintage’. E fundit “As engjëll, as dreq”, është pak më piper, tregon për një vajzë me mend, i kemi të dyja versionet ne vajzat. Albumi ka qenë një nga projektet që kam dashur të sjell në publik. Sigurisht që janë edhe autobiografike.

Unë ndjehem shumë e sinqertë në atë që bëj, pa impostime të tregut. Ndoshta nuk kam shumë ndjekës në rrjete sociale, nuk di të përdor TikTok-un. Jam më shumë tek gjërat që godasin me dëgjim të parë. Muzika duhet dëgjuar, nuk duhet parë. Edhe unë mundohem të adaptohem, por kam një shije ndryshe nuk dua ta sforcoj veten në këtë sens. Unë jam më shumë për njerëzit që janë vetvetja. Edhe në stilin që unë zgjedh të këndoj, gjithmonë dua të jetë një pjesë e imja, njerëzit duan të shohin Marselën.

Më tej, Marsela u shpreh:

Sardi Strugaj është një zë, talent, imazh që i duhet artit shqiptar. Te albumi “PETALE”, të katërta janë muzikë nga Sardi, tekstet tre janë nga ai, “Ata puthen” është nga Killua. Janë një grup djemsh me një energji të jashtëzaknshme. Të pastër, pa gjëra artificiale. Realizimi i këtij albumi ka qenë dëshirë e imja që në fëmijëri. Sardit i shpreha dëshirën të kisha disa këngë bashkë, jo të më bënte thjesht një këngë. Albumi ka këtë veçanti, tregon një periudhë të caktuar të artistit.

Por si u shpreh ajo lidhur me një dasmë të mundshme me Vitmarin?

Jo ndoshta në një mënyrë klasike, me altar… Sa njihem me Vitmarin, përtej zënkave, çdo ditë për mua është një festë me të. Unë e kam të fejuar, por është edhe shok i ngushtë për mua. Dasma është një formalitet, për ta patur kujtim, për të fotografuar atë çast ekzakt në jetën tënde.

Më tej, Marsela u shpreh për Vitmarin:

Është kritik. Ka shumë durim me mua sepse unë jam një person që i dua gjërat të ekzekutohen shpejt. Kënga do kohën e vetë, analizën e vetë. Vitmari nuk e toleron dorëzimin tim në dëgjim të parë të gjërave.

Por me kë artist do të dëshironte Marsela të kishte një bashkëpunim?

Ne kemi artistë të mirë dhe zëra shumë interesantë, dhe botëkuptime të bukura në artistët tanë. Emrat kanë qenë të ndryshëm, ne kemi biseduar mbi mundësinë e bashkëpunimeve. Flori Mumajesi është një nga ata që e kam dashur dhe e dua shumë si artist. Ka dhënë një kontribut në muzikën shqiptare. Alban Skënderaj është një super artist i muzikës, edhe pas shumë vitesh është i dashur për publikun. Yll Limani me të cilin kemi qenë bashkëfinalistë në The Voice.

Dikur pjesë e The Voice, si u shpreh sot Marsela për këtë projekt muzikor?

Shpresoj të rikthehet The Voice. Te juria me siguri do doja të isha. Edhe pse jam shumë e keqe si juriste, emocionohem, por e them atë që mendoj. Shpresoj te rikthimi i The Voice, por kryesisht te rikthimi i Top Fest.