E ftuar në “Lancio” në Top Albania Radio, ka qenë një nga këngëtaret më të reja dhe të talentuara, Luna Çausholli. Ajo ka folur më shumë për këngën e parë në “The Top List”, “Dielli të më shohë”, si dhe për albumin e saj…

Si nisi pasioni yt për muzikën?

Unë kam filluar të mësoj kitarën me babin, ma ka mësuar ai për herë të parë, në moshën 14 vjeç. Ai më mësoi kordet e para. Ndonjëherë mërzitesha se nuk i mësoja disa nota, por ia mora dorën. Pastaj fillova të këndoja vetëm, për qejfin tim. Derisa vjen mami tek dhoma ime dhe më dëgjon si këndoj. Aty ajo shkon tek babi dhe i thotë se po këndon shumë bukur goca. Mami e zbuloi talentin. Pastaj mora pjesë në kompeticione të ndryshme.

Cila ka qenë hera e parë që ke perfermuar në publik?

Ka qenë një kompeticion midis gjimnazeve, këndova një këngë të Billie Eilish. Ishte shumë emocionuese, u ndieva shumë krenare për veten time dhe që bëra dhe krenarë prindërit e mi.

Si lindi “Dielli të më shohë”?

Këtë këngë e krijova me Endrit Shanin, që është kompozitori, ndërsa tekstshkrues është Pandi Laço. Erdhi shumë bukur. Kjo këngë erdhi shumë për qejf. Është një këngë që doja të eksperimentoja pak me rock-un dhe doli diçka shumë e bukur. Videoklipi erdhi si në minut të fundit, e bëmë për qejfin tonë. Dhe ja ku është tani në “The Top List”.

Çfarë mesazhi do që t’i japësh publikut?

Dua të jap mesazhe të mira, pozitive. Dua që njerëzit ta ndiejnë muzikën, se nuk është vetëm fishekzjarre, por muzika është një ndjenjë.

Çfarë mund të na thuash për EP-në tënde të re?

Ky EP është punuar për 5 muaj, këngët janë 4 në anglisht dhe 1 në shqip. Këngët në anglisht i kam shkruar dhe i kam kompozuar vetë dhe janë shumë të  përzemërta për mua. “Full Moonlight” erdhi si ide meqënëse emrin e kam Luna dhe mua më pëlqen shumë dhe hëna. Dua që të përcjell botën time.