Lindon Berisha është bërë i njohur për publikun shqiptar me disa projekte muzikore, të cilat kanë qënë gjithashtu pjesë e klasifikimit të “The Top List”. Ndërkohë që kanë kaluar vetëm pak muaj nga publikimi i këngës së tij, Lindon ka nxjerrë menjëherë projektin e tij më të ri, të titulluar “Merri Krejt”.
Falë sugjerimeve të shumta, këngëtari, i cili është djali i artistit Agron Berisha, është bërë pjesë e “The Top List” që në javën e parë të publikimit.
I kontaktuar nga Top Awards në lidhje më të qënurit një ndër hyrjet më të reja të listën e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare, Lindon ka zbuluar detajet e projektit “Merri Krejt”.
Top Awards: “Merri krejt”, për çfarë flet ky projekt muzikor?
Lindon Berisha: “Merri Krejt” flet për një histori dashurie të sajuar, frymëzimi i të cilit ka ardhur nga një fenomen aktual që po mbizotëron në shoqërinë tonë, ku vlerat materiale vlerësohen më shumë në një marrëdhënie të afërt mes çifteve.
Top Awards: Me kë ke bashkëpunuar për këtë këngë? Kush është kujdesur për muzikën, tekstin dhe klipin?
Lindon Berisha: Në këtë projekt është përfshirë bashkëpunëtori im i afërt që kam kohëve të fundit, është mjeshtri Darko Dimitrov, i cili ka kuruar çdo detaj në planin muzikor ndërsa për anën vizuale është përkujdesur regjisori Mert Asllani, i cili ka konceptuar gjithçka rreth klipit. Autor i tekstit jam vetë unë.
Top Awards: Ju krahasojnë me këngëtarin turk Gökhan Türkmen, çfarë mendimi keni, e njihni?
Lindon Berisha: Nuk e kam dëgjuar më parë këtë artist, pasi nuk i ndjek artistët e këtij shteti por e kam kuptuar së fundmi që kemi një ngjashmëri në “look” për nga mjekrra por jo në stil muzikor.
Top Awards: Numëroni disa bashkëpunime në karrierën tuaj muzikore, cili është i preferuari yt?
Lindon Berisha: Deri tani kam bashkëpunime të panumërta, nuk do kisha mundur t’i veçoj pasi secili e ka bukurinë dhe impaktin e vetë tek publiku i gjërë! Të gjithë janë të qëlluara sipas mendimit tim.
Top Awards: Preferoni më shumë këngët “solo” apo bashkëpunimet? Pse?
Lindon Berisha: Në këngët “solo” mund të tregosh më tepër sepse ke më tepër hapësirë dhe përgjegjësi ndërsa bashkëpunimet kombinojnë forcë dhe shije të ndryshme! Secila e ka kohën e vetë.
Top Awards: Si ndiheni që jeni pjesë e “The Top List”?
Lindon Berisha: Jam shumë i lumtur që bëj pjesë në rrethin më të gjërë muzikor ku ka produksione shumë kualitative. Kjo përbën një kënaqësi të veçantë për mua.
Top Awards: Kritika me “e keqe” dhe komplimenti më i bukur që keni marrë nga një fans?
Lindon Berisha: Ohh, ka shumë kritika, më lumturojnë ato të bukurat që janë pafund por edhe të këqijat na bëjnë që të përmirësohemi gjithmonë, pasi edhe ato janë si kujdes për artistët! Nuk vjen ndër mend ndonjë më interesant.
Top Awards: Thashethemi më i çuditshëm që keni dëgjuar për Lindonin?
Lindon Berisha: Thashethemi më i çuditshëm dhe më i përfolur së fundmi ka qënë ai me fejesën, por që asnjëherë nuk ma gjetën të fejuarën. Me është dashur shumë kohë dhe intervista që ta hedh poshtë por e kotë…(Qesh).
Top Awards: Tani na tregoni të vërtetën, jeni i fejuar?
Lindon Berisha: Jo nuk jam, mënyra se si ka filluar ky lajm ka qënë skandaloze dhe qesharake. Nga disa komente të kota prej miqve të afërt, të cilët komentonin: “Urime fejesa, dëgjova se je fejuar”, dhe kështu ka vijuar shakaja, e cila u shndërrua në një lajm kryesor në media.
Top Awards: Një mesazh për të gjithë mbështetësit e muzikës tënde?
Lindon Berisha: Mesazhi im për gjithë ndjekësit e “The Top List” është që ta përkrahin muzikën shqipe sa më shumë sepse kemi shumë kualitet dhe vlera… Ju falenderoj nga zemra.