Erysha është emri artistik i Erika Shabani-t, këngëtarja nga Kosova bashkëpunimi i së cilës ka hyrë për herë të parë në “The Top List”.
23-vjeçarja e cila më parë ka jetuar në Gjermani që në vegjëli ka qenë e apasionuar pas muzikës pasi edhe mamaja e saj është këngëtare. Kur ishte 17-vjeçe ajo nisi të këndojë kovera të artistëve të ndryshëm. Kënga e saj e parë në gjuhën gjermane është vlerësuar edhe me një çmim.
Duke qëndruar gjithmonë mes Gjermanisë dhe Amerkës, Erika ka udhëtuar për të prodhuar muzikë të re ndërsa vetëm muajt e fundit vendosi të krijojë këngë me tekste shqip.
Sa i përket projektit “A m’ke harru” ishte vetë reperi Elinel, i cili vendosi të krijonte këtë bashkëpunim me Erysha-n. Prurja e tyre është një ndër hyrjet më të reja për këtë javë në klasifikimin e muzikës moderne shqiptare e cila momentalisht renditet në vendin e 100.
Nga ana tjetër, Elinel, emri i vërtetë i të cilit është Granit Bajraktari ka qenë pjesë e bashkëpunimeve të suksesshme me këngëtarë të njohur shqiptarë, këngët e të cilëve kanë rrëmbyer zemrat e pubikut. Kënga “Kam Mall” me Alban Skënderaj apo “Mos m’le me ra” me Besën janë bërë pjesë e klasifikimit për javë të tëra duke u renditur në majat e “The Top List”.