Një nga bashkëpunimet e javës që vjen këtë javë në “The Top List” është ai mes Capital T dhe Jimilian, “Ike Ti”. Jimilian është një artist i ri shumë premtues, i njohur gjerësisht në Danimarkë, por ky projekt e sjell atë për herë të parë në mesin e artistëve tanë. Le të njihemi pak më shumë me të.

Kur familja e Jimilianit vendosi të largohej nga Shqipëria fillimisht për në Belgjikë e më pas në qendrën e azilkërkuesve të quajtur Sandholm në Danimarkë, ku kërkuan azil politik, ai ishte fare i vogël. Ka lindur në Laç dhe është djali i një këngëtari të njohur të folkut në vitet ‘80, Enver Ismailit. Kalvari i familjes Ismaili mbaroi me marrjen e të drejtës për të jetuar ligjërisht në Danimarkë në vitin 2000.

Në 2006-ën, Jimilian Ismaili, me emrin e artit “Lil ‘G” konkurroi në Børne MGP (Danish Children’s Melodi Grand Prix) me “Penge”. Ishte 12 vjeç në atë kohë dhe u rendit i dhjeti. Pas MGP, Jimiliani vazhdoi të nxjerrë këngë online duke u bërë një emër shumë i njohur nëpërmjet postimeve si “Virus”, “Elsker”, “Vibration”, “Finde dit smil igen” dhe “Tættere på”. Gjithashtu ai tërhoqi vëmendje duke shoqëruar në këngën “Ghetto”, Mido-n (emri i vërtetë Mohammed Zaghmout) dhe duke marrë pjesë gjithashtu ”Ghetto Pt. 2″ featuring Jimilian & Enrico Blak. Të dy ata ishin pjesë e Flexmusic.

Single i parë, ama, që u rendit nëpër hitparadat vendase ishte “Hjerteslag” featuring Poeten, që hyri në Tracklisten, renditja zyrtare e këngëve daneze, në korrik 2012. Mediat e huaja e përshkruajtën si “një njëzetvjeçar, me shpirt dhe zemër shqiptare, shumë premtues në muzikën daneze”. Sot aktiviteti i tij menaxhohet nga firma më e madhe në botë, SONY. Këngët e tij kanë kapur majat e suksesit, pothuaj dhjetë herë më shumë klikime sa banorë ka gjithsej vendi i tij, për mos të folur për qytetin nga vjen, gati 30 milionë.

Por është dhe një nga këngëtarët më të dashur për fansat e muzikës në Danimarkë. Më datë 18 Prill 2011, Jimilian Ismaili publikon videoklipin “Finde Dit Smil Igen”. Më datë 17 Janar 2013, vjen “Hvem Gi’r Dig Lov?”. Në vitin 2013 ai sjell 3 projekte, “Ved Du Har Mig”, “Skuespil” dhe “Ild I Min Flamme”. Në vitin 2017 publikon “Ajo Don Perignon”. Bashkëpunimi i Capital T dhe Jimilian në “Ike Ti” e sjell këtë të fundit për herë të parë në mesin e artistëve të Top Awards.