“The Voice of Albania” është pranë mbrëmjes kulminante të këtij rrugëtimi të gjatë dhe emocionues të nisur që prej 27 janarit, ku do të përzgjidhet zëri më i mirë i shqiptarëve.
Ky sezon i “The Voice”, përveç konkurrentëve të talentuar, çdo mbrëmje “live”, ka sjellë performanca të shkëlqyera të interpretuara nga artistë të njohur shqiptarë.
Netët “live” janë zbukuruar akoma më shumë me performancat e trajnerëve të “The Voice”, Alban Skënderaj, Besa, Rona Nishliu dhe Xuxi.
Katërshja e karrigeve më emocionuese në Shqipëri, ka sjellë koverin e këngës së njohur të rokerit kosovar Bajram Bylykbashi, ose siç njihet me emrin e artit BB Poqi, “Kthehu”. Kjo këngë ka marrë vlerësimet maksimale të fansave, të cilët kanë bërë të mundur që kjo këngë të jetë pjesë e klasifikimit të “The Top List”.
Falë votave të publikut kjo këngë është pozicionuar në vendin e 11-të të klasifikimit të 50 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare, duke treguar se muzika e vërtetë ende vlerësohet.