Na lejoni t’ju themi që lista e kësaj jave do mund t’ju duket si një déjà vu. Kjo është hera e dytë për këtë muaj që nuk kemi asnjë hyrje të re në klasifikimin e “The Top List” në Top Awards.

Sa ndryshe duket ky  sezon vjeshte në krahasim me verën që sapo kemi lënë pas, apo jo. Sjellim ndër mend se sa aktivë kanë qenë artistët shqiptarë gjatë sezonit të verës, duke sjellë jo vetëm një, por disa projekte brenda një kohe të shkurtër.

Mund të përmendim këtu Ledri Vula, Yll Limani, Dafina Zeqiri, e shumë të tjerë që numëruan disa hite muajt e kaluar. Epo mesa duket, iku vapa me gushtin!

Por a mund të jetë kjo periudhë “qetësia para një stuhie”? Thënë ndryshe, a mos artistët tanë po punojnë njëkohësisht për të ‘konkurruar’ mes tyre se cili do të sjellë hitin më të mirë të vjeshtës? Kemi një parandjenjë që projekte të shumta janë ‘duke u gatuar’ dhe është çështje kohe se kur do të mund t’i shijojmë. Ndërkohë, le të presim dhe pak!