Ajo është pikasur për një stil të veçantë në të kënduar por duket se Janex së fundmi ka goditur në shenjë edhe me klipin e saj më të ri.
Këngëtarja më e re e muzikës shqiptare por që premton shumë, sapo ka publikuar projektin e saj më të ri muzikor të titulluar “Mermaids”, i cili është bërë pjesë e klasifikimit të “The Top List”.
Në një intervistë të dhënë për “Top Awards”, ish-konkurrentja e “The Voice”, ka zbuluar më shumë për këtë projekt muzikor, klipin si edhe për zhvendosjen e saj në Amerikë. Duket se për Janex mosparaqitja e saj në klip nuk ka aspak rëndësi, madje ajo është shprehur se nuk ka qënë kurrë e uritur për ekran.
TA: Pas shumë muajsh pritje, vjen “Mermaids”, mos ndoshta është publikuar pak më vonë seç ishte premtuar? Nëse po, pse?
Janex: Në fakt po, supozohej të lançohej në janar por ndodh ndonjëherë (mua shpesh), që gjërat të mos shkojnë sipas planit.
TA: Me kë ke bashkëpunuar për këtë projekt muzikor? Kush është kujdesur për muzikën dhe tekstin?
Janex: Vazhdoj të mbaj të njëjtën linjë, duke i shkruar dhe orkestruar vetë, por sigurisht meritat e produktit final i takojnë “Tull Productions”.
TA: Përveç muzikës, kjo këngë ka tërhequr vëmendjen me klipin e saj të veçantë? Kush është kujdesur për të? Na thuaj diçka më tepër për realizimin e tij?
Janex: Në fakt ka qënë një bashkëpunim në distancë dhe si i tillë mund të them që rezultati është fantastik. Këtë herë ka qënë Fioralba Kryemadhi e cila ideoi klipin, ndodhi që në bisedë e sipër më të, kishim të njëjtin koncept me tematikë femrën. Une e kisha tashmë demon gati (instrumentalen), e cila më frymëzoi të shkruaj në lidhje me tematikën e caktuar, duke e trajtuar atë në aspekt personal/jo personal dhe Fiori shprehu dëshirën për ta realizuar vizualisht. Vjosa Malokaj është vajza që shfaqet në klip, aktore nga Kosova të cilën e përzgjodhëm bashkë me Fiorin (po në distance haha) nga disa kandidate që u ofruan të bashkëpunonin për të cilat jam tepër falenderuese, sidomos ndaj Vjosës e cila ka bërë një punë të paqme profesionalisht dhe jo vetëm.
TA: Keni vendosur të mos paraqiteni në klip, pse kjo zgjedhje?
Janex: S’kam qënë kurrë e “uritur” për të qënë para ekranit dhe pse së fundmi ka filluar të më intrigojë disi kinematografia (si dihet kurrë, mbase në një të ardhme të caktuar mund të më shtohet uria duke u nisur nga kjo e fundit), por nëse do ishte për mua do kisha zgjedhur përjetësisht bashkëpunime të tilla por vizualisht është e nevojshme të shfaqesh në “produktet e tua” ndonjëherë dhe e kuptueshme përse.
TA: Prej kohësh ndodheni në Amerikë, cili është qëllimi i qëndrimit tuaj atje? Ndonjë projekt muzikor?
Janex: Në fakt se kam bërë publike pasi vendimi është akoma i freskët por që Amerika do jetë “shtëpia” ime e re për një kohë të konsiderueshme.
TA: Sapo është publikuar, edhe kjo këngë është pjesë e “The Top List”, gjëja e parë që mendove kur dëgjove se je në listë?
Janex: Vleresim.
TA: Kritika më e madhe që mund te kesh marrë nga një fans?
Janex: Hmm, deri me sot kanë qënë përgjithësisht komente banale dhe qartësisht jo prej fansave dhe 0 kritika, fatkeqesisht. Megjithatë, e hapur ndaj kritikave (të vlefshme).
TA: Kënga jote e radhës, kur do publikohet?
Janex: Kenga e rradhës do publikohet në Korrik. Eshtë një bashkëpunim me producentin Noahstradamus, këtë herë ndryshe nga projektet e tjera, kam kompozuar vetëm linjën vokale dhe tekstin. Kënga do jetë “dance” dhe gati per aventurat verore!