Top Awards sjell çdo javë klasifikimin e 100 këngëve më të mira shqiptare. Një listë kjo që përmban rryma nga më të ndryshmet, artistë të vjetër e të rinj, bashkëpunime e projekte solo. Vlen të përmendet se Top Awards ka ndezur dukshëm garën mes këngëtarëve të skenës shqiptare.

Kjo vihet re në prurjet e tyre muzikore, të cilat javët e fundit kanë qenë të pakontrollueshme. Shumë artistë vijnë me publikime të reja dhe me bashkëpunime me emra të njohur, duke lëvizur çdo gur, për t’u bërë pjesë e majave të top listave muzikore.

Këto ndryshime reflektohen menjëherë në Top Listën tonë zyrtare, duke e bërë renditjen fleksibël nga java në javë. Por le të ndalemi pak në ndarjen mes rrymave muzikore. Në klasifikimin e “The Top List” ato që dominojnë më së shumti janë këngët pop me 36%. Pas tyre vijnë rrymat Hip Hop dhe R&B me përkatësisht 23% dhe 21%.

Duke qenë se jemi ende në sezonin e verës, duket qartë se përse është kjo lloj ndarje. Këngët mbizotëruese janë ato më ritmike të cilat i shkojnë më për shtat stinës në të cilën jemi. Thënë kjo, rrymat si rock dhe alternative mbajnë së bashku 9% të këngëve në listë dhe 11% janë ato baladat e dashurisë aq romantike që i kanë rezistuar muajve.