Kënga më e re e Ledri Vulës, ”Gjendja”, u bë virale ende pa u publikuar mirë. Që në fillim, kur artisti e këndoi këtë këngë në promovimin e albumit të ri, teksa ftoi në skenë dhe partneren e tij Sara Hoxha, gjithashtu dhe kur njoftoi se ajo do të ishte pjesë e klipit, kurioziteti i fansave ka qenë i madh.

“Gjendja” u rendit menjëherë në vend të parë të listës, edhe pse ishte ende një ’new entry’. Në fakt, vendi i parë nuk është diçka e re për Ledrin.

Artisti është renditur disa herë në krye gjatë këtyre 7 viteve të klasifikimit të ”The Top List”. ”SRMN” ka qenë kënga e parë e tij që e pozicionoi në fron në fund të vitit 2015, e deri në fillim të 2016.

Viti 2016 u pasua gjithashtu me ”King”, ”Hip Hop” me Mc Kresha dhe Lyrical Son, si dhe ”Beautiful” me Flori Mumajesin, këngë që ishte ndër më të preferuarat e publikut.

Pas këtyre projekteve ai u pozicionua sërish në fron në vitin 2017 me ”U harrum”. Një vit më vonë ai korri sukses me bashkëpunimin me Buta në ”Merri Merri”. Viti 2019 ishte mjaft i suksesshëm për Ledrin.

Ai bashkoi forcat me artistin ndërkombëtar Gashi për të sjellë ”That’s Mine”. Po në 2019, ai kryesoi listën edhe me dy bashkëpunime të tjera, ”Menemadhe” me Mc Kresha dhe Lyrical Son, si dhe ”Kiss Kiss” me Lumi B.

Në vitin 2020, Ledri u pozicionua në vend të parë me dy projekte, ”10/10” dhe ”DMP”. Viti 2021, e sidomos vera, ka qenë gjithashtu shumë e suksesshme për të. ”Don mo” ka qenë ndër më të dëgjuarat e publikut.

Më pas bashkëpunimi me Butrint Imerin dhe Kidën, ”Dale” ka qenë kënga më e votuar jo vetëm e verës, por e gjithë vitit. 2021 mbyllet me ”Americana”-n e tij.

Sa i përket vitit 2022, Ledri ka kryesuar listën me tre projekte, ”Monaco”, ”Uma Love” dhe ”Tonat”. ”Gjendja” është projekti i tij i parë në fron për këtë vit.