Pavarësisht se jemi në atmosferë festash, publiku nuk ka lënë aspak pas dore muzikën e preferuar, duke e votuar pafund në faqen zyrtare të “Top Awards”.

Kjo javë ka sjellë ndryshime në “Top 5” krahasuar me një javë më parë.

Po cilat janë 5 këngët më të votuara të javës së fundit të vitit 2019-të?

E gjendur mes kritikave të shumta dhe komplimenteve, bashkëpunimi i Nora Istrefit dhe Gjikos, “Anna”, ia ka dalë të mbizotërojë klasifikimin e 100 këngëve më të bukura të javës.

Ndërkohë që javën e kaluar surprizoi publikun me prurjen e tij më të re muzikore, “Edi Rama”, këtë javë kjo këngë ka humbur një pozicion nga java e kaluar, duke e renditur Butën në vendin e dytë.

Vendi i tretë i përket Butrint Imerit, i cili pas një pauze të shkurtër muzikore, u rikthye me “M’ke rrejt”. Në javën e saj debutuese kjo këngë u rendit në vendin e 14-të ndërsa këtë javë fansat kanë bërë të pamundurën për ta çuar këtë prurje të re muzikore në zonën e nxehtë të listës.

“Akull” e Capital T vazhdon ende të mbetet e preferuara e publikut shqiptar edhe pse këtë javë shënon javën e 5-të në “The Top List”. Kjo javë nuk ka rezultuar fort e mire për këtë projekt muzikor, i cili ka humbur dy pozicione nga java e kaluar, duke u pozicionuar në vendin e 4-t.

Saix dhe “remake” i tij, “Qyteti i Vjeter” ia ka dalë që edhe këtë javë të renditet në 5-shen më të dëgjuar dhe të votuar të javës. Nga java në javë kemi parë një përmirësim në pozicionimin e “Qyteti i vjetër” dhe java e fundit e vitit e gjen në vendin e 5-të.