E ftuar në “Wake Up” mëngjesin e sotëm ka qenë këngëtarja e njohur Irma Libohova, e cila së fundmi ka publikuar projektin e saj më të ri titulluar “Mam”. Kjo këngë është bërë gjithashtu pjesë e “The Top List”. Në lidhje me këtë sukses, Irma është shprehur:
Si fillim, falënderoj atë që u bë sebep që kënga u bë pjesë e “The Top List”, sepse në prurjet e tepërta që muzika ka, është shumë e vështirë që kënga e bukur ‘të dalë mbi ujë’. Në fakt kënga “Mam” është një këngë me problematikë dhe nuk është thjesht çështja e mesazhit që jep, nga të gjitha çmenduritë që dëgjojmë sot për sjelljet e prindërve ndaj fëmijëve ose anasjelltas. Thjesht aty ka një mesazh se edukimi bazë i çdo fëmije vjen nga nëna, në familje, aty fillon. Pa fjalë, kënga është memece. Ti mund të kesh një melodi të bukur dhe të bërtasësh çfarë të duash. Pa tekst, për mua është një nga komponentët më të rëndësishme.
Duke patur eksperiencë disa vjeçare në skenë, këngëtarja është pyetur se çfarë këshille do t’i jepte një artisti të ri:
Flasim për dy kohë të ndryshme. Flasim për një kohë kur unë jam formuar e rritur si artiste dhe flasim për brezin e ri sot. Janë dy mendësi të ndryshme. Ndoshta nuk e kemi patur të vështirë, por edhe jo të thjeshtë për t’u evidentuar sepse filtrat e profesionistëve kanë qenë shumë të holla dhe nuk të lejonin ata ‘të bëje tallash’. Kurse sot varet çfarë ti kërkon për veten tënde. Nëse do vulg, bën vulg. Nëse do të bësh art, bën art. Edhe sot nëse do të isha, nuk do t’ja lejoja vetes të bëja për të bërë.
Në lidhje me projektet e reja që këngëtarja do të sjellë, ajo është shprehur:
Kështu si kanë ardhur punët po bëhen 5 këngë, por jam duke i punuar dhe nuk bëhen përnjëherë sepse marrin kohën e vet. Nga numërimi që kam bërë i bie që të jetë një mini album. Kam edhe verën përpara që më pengon, sepse punët fillojnë tani. Një pjesë e mirëe kësaj krijmtarie është edhe Elios Shuli, i cili është një talent por shpresoj do të bëjë boom kur t’i mbushet mendja. Është autor i dy teksteve të këngëve që kam aktualisht. Më vjen shumë mirë që një djalë i ri si Eliosi më shikon si një figurë ku ndoshta më shikon si model. Dhe më vjen shumë mirë që më ka parë si një bashkëpunëtore. Më ka treguar këto tekste dhe unë nuk i kam lexuar, por i kam përpirë menjëherë sepse nuk është shumë e vështirë të kuptosh mesazhin që të jep teksti.
E pyetur në lidhje me jetën e saj personale, ajo ndau një detaj mjaft interesant, më saktë një objekt që e mban të ‘lidhur me bashkëshortin e saj. Këngëtarja u shpreh kështu:
Në momentin që po vija këtu, im shoq ka qenë koleksionist orash dhe kishte lloj lloj, dhe po kontrolloja dhe thashë po marr njërën. Ora që preka, nuk ka rëndësi firmë apo jo, ngaqë ne udhëtonim shpesh ka qenë me të dyja kohët, një për në Amerikë që e vendosnim kur punonim edhe një për në Europë. E nxorra, thashë ta vendos, por jo sepse më sjell në përkujtime. Ka qenë një njeri që flinte e zgjoheshe me libër në dorë. Një njeri i formuar e i kulturuar, që ka ditur çfarë është respekti, çfarë është gruaja, si respektohet familja. Si bëj tani këto analiza, dikur i kam patur në të gjithë jetën time si kurorë të bukur. (përlotet) Dinamikat e jetës sot kanë ndryshuar. Ka qenë një tjetër kohë. Ka qenë një sistem i tillë, që i mirë ose i keq, nuk i anashkalonim detyrimet që kemi patur për familjen. Çdo gjë ka ndryshuar.
Në intervistë u bashkua edhe Elios Shuli, i cili i pyetur se si do ta përshkruante Irmën, u shpreh:
Unë do ta përshkruaja si një energji që nuk e dija se do të më duhej në jetën time. Unë them shpesh se e mira në jetë është të takojmë bashkudhëtar dhe energjia e Irmës është një energji që vetëm buron dhe frymëzon.