Irma Libohova dhe Ylldrit Jakupaj kanë sjellë baladën më të bukur, dedikuar gjësë më të shtrenjtë që dikush mund të ketë në këtë jetë, nëna. Teksti mjaft poetik dhe fjalët më të ëmbla kushtuar figurës së nënës kanë rrëmbyer zemrat e dëgjuesve, të cilët kanë suportuar këtë projekt dhe kanë vlerësuar tematikën e kësaj kënge.

Irma Libohova, këngëtarja cila jeton tek publiku me këngët e saj jo vetëm në skenat e festivaleve të këngës në RTSH ndër vite, por dhe në skena të tjera, vijon të jetë në qendër të vëmendjes për krijimtarinë e saj. Zëri i vlerësuar mes një brezi artistësh që i dhanë shumë skenës së muzikës shqiptare ndër vite, këngëtarja Irma Libohova, pohon se ishin krijime muzikore të thjeshta, të këndshme, përshtatur edhe me cilësitë vokale të këngëtarëve.

Ajo pohon se në këtë vrull zhvillimi edhe muzika ka rekordet e saj, por ka dhe krijimtari të dobët dhe koha do të bëjë punën e saj. Në 40 vite karrierë muzikore, ajo thotë se kanë kaluar pa e kuptuar, por thekson se vazhdon akoma punën me shumë vëmendje në çdo projekt muzikor të ri. Me dekada karrierë muzikore, Irma Libohova ka një repertor shumë të pasur në këngë, ku nuk mungojnë dhe çmimet në festivale të ndryshme. Mes tyre veçojmë këngët si: “Nuk e harroj” (1987) fituese e Festivalit të 26 të Këngës në RTSH, “1001 ëndrra” (2000) fituese e Kënga Magjike, “Prapë tek ti do vij” (2004) fituese e Kënga Magjike, etj.

Kampione e pjesëmarrjeve në festivalet shqiptare, Irma Libohova është një nga këngëtaret më në zë të muzikës shqiptare. Publikime videoklipesh të suksesshme, duete me emrat më të njohur të muzikës shqiptare, eksperimentimet që ajo ka bërë në rryma të ndryshme muzikore – e kanë sjellë Irmën gjithmonë ndryshe, duke i vënë një vulë suksesi karrierës së saj edhe jashtë kufijve shqiptarë, me koncerte në disa vende të botës.