INAKTIV, erdhi në jetë që prej muajit shkurt të këtij viti nga këngëtari 00Genti i grupit Via Tirana dhe Erlind Hoxha i grupit Uj Pa Gaz.
Albumi i tyre debutues, i titulluar “Zepp” ka dalë në treg më 5 maj të këtij viti nën logon e shtëpisë diskografike elektronike “Taci Taci Records”. Ky label muzikor londinez është nën drejtimin e Dj/producentit Duncan Gray.
Që nga momenti i publikimit, ky album ka marrë vlerësime mjaft pozitive sa i përket muzikës “underground elektronike”.
Ky album përbëhet nga 3 këngë origjinale dhe një “remix” nga producenti irlandez, Future Bones. Këto projekte muzikore janë të përfshira në “mix-e”, “podcast-e” nga shumë radio dhe Dj në vende të ndryshme të botës.
“Entertain US” është projekti muzikor, i cili është publikuar në fund të muajit prill dhe është bërë pjesë e klasifikimit të “The Top List”, duke rezultuar mjaft i suksesshëm. Ndërkohë që në javën e parë të futjes në këtë listë, kjo këngë pozicionohej në vendin e 41-të, këtë javë ajo është ngjitur me 26 pozicione, duke u renditur në vendin e 15-të.