Muzikë e re vazhdon të publikohet nga artistët nga java në javë dhe në klasifikimin e kësaj javë, tre hyrje të reja i janë shtuar “The Top List”.

“Push it” është bashkëpunimi i ri i sjellë nga Mercy dhe Agon Amiga, i cili për këtë javë ka mbyllur 100 këngët më të votuara nga publiku.

Ndërkohë që Agon Amiga është tashmë një emër afirmuar në tregun muzikor shqiptar dhe që ka qënë disa herë pjesë e “The Top List”, Mercy është një emër i ri, të paktën për klasifikimin zyrtar të “Top Awards”, pasi kjo është hera e parë që reperi i bashkohet listës.

Po kush është Mercy?

Mercy, emri i vërtetë i të cilit është Egzon Ademi, ka lindur më 23.09.1994 në Prishtinë.

Mercy ka filluar të merret me muzikë, e cila i përket zhanrit hip-hop, që në vitin 2009-të, si një pasion dhe dashuri që ai kishte patur në fëmijëri dhe tashmë nga një pasion, ajo është shndërruar në një profesion për artistin.

Falë punës së madhe, dukë qëndruar tepër i vendosur ndaj qëllimeve për një karrierë të mirëfillte, Mercy arriti që në vitin 2016-të, të publikonte albumin e parë me titull “Suspected for Success”.

Viti 2018-të e në vazhdim e gjeti artistin në bashkëpunim me shumë producentë të suksesshëm dhe shumë projekte muzikore , përmendim këtu, “S’jena në rregull”, “Du me dit”, “Dashni”, “Katrina” dhe më e fundit “Pushi it“, në bashkëpunim me Agon Amiga.

Me një muzikë ritmike, që nuk mund t’i rezistosh kërcimit dhe dëgjimit me volumin në maksimun, “Push it” ka marrë sugjerimet maksimale këtë javë dhe është futur menjëherë në klasifikim, që në javën e parë të publikimit.