Alban Skënderaj ishte artisti i parë që u bë pjesë e “The Top List” me një video të animuar. Rreth 5 muaj më parë, Albani publikoi “Duart Lart” një këngë që korri shumë sukses dhe që ende vazhdon të jetë në klasifikimin e Top Listës. Artisti vendosi që në videoklipin e kësaj kënge të vinte ndryshe, si një personazh i animuar, duke tërhequr shumë vëmendje.
Kjo javë ka sjellë dy projekte muzikore me video të animuara, të cilat janë bërë pjesë e klasifikimit të 50 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.
“Aq me ben” është një këngë e sjellë nga grupi i muzikës alternative, Gillespie, i cili ka tërhequr vëmendjen me klipin e tij. Njëri prej anëtarëve të këtij grupi është shprehur se arsyeja se pse kanë zgjedhur të vinë me video të animuar, i cili është i dyti për ta, është se nuk kanë shumë dëshirë të shfaqen nëpër klipe. “Aq më bën” është bërë këtë javë pjesë e “The Top List” dhe renditet në vendin e 34-t.
Oborri është një tjetër grup muzikor nga Kosova, i cili është bërë pjesë e klasifikimit me projektin muzikor “Alfabeti ecën vet”. Ky projekt i ri muzikor shoqërohet gjithashtu me një klip të animuar, ku dy anëtarët e grupit, Tomor Kuci dhe Arbër Salihu, dëshirojnë ta ndriçojnë botën më anë të Abetares dhe shkronjave. Kjo këngë është publikuar rreth 2 muaj më parë por vetëm këtë javë ka mundur të bëhet pjesë e “The Top List” duke u renditur në vendin e 40-të.
Ndërkohë që në Shqipëri nuk është tepër e përdorshme metoda e videoklipeve të animuara, në botë është tepër e përhapur. Përveçse të zhvillojnë imagjinatën, krijimi i videoklipeve të animuara ka gjithashtu një kosto më të ulët prodhimi.
Si 10 videot muzikore të animuara më të bukura në botë janë cilësuar : 1. Radiohead, “Burn the Witch”, 2. Sturgill Simpson “In Bloom”, 3. Gorillaz “Clint Eastwood”, 4. DyE “Fantasy”, 5. Lil Dicky “Professional Rapper”, 6. Rossonian “Sidewalks”, 7. Bloc Party “Ratchet”, 8. Modest Mouse “King Rat”, 9. Justice “D.A.N.C.E.”, 10. Gnarls Barkley, “Crazy”.