E ftuar në emisionin “Lancio” në Top Albania Radio ka qenë artistja Gigliola Haveriku, e cila së fundmi ka ardhur me një projekt të ri i titulluar “Dy Fjalë”. Një këngë mjaft ritmike, e shoqëruar gjithashtu edhe me një videoklip, është bërë menjëherë pjesë edhe e “The Top List”. Në lidhje me këtë projekt, ajo është shprehur:
Doja të dilja pak nga stili im i zakonshëm dhe thashë të bëja diçka më komerciale, më të kërcyeshme, që t’i ngrohim njerëzit përpara se sa t’i djegim fare në verë.
Ajo e ka shkruar vetë këtë këngë, duke patur edhe një ndihmë nga Elios Shuli, gjë që i ka sjellë një sukses të madh në realizimin e këtij projekti. Për këtë ajo ka thënë:
Në përgjithësi, unë jam një natyrë shumë spontane dhe në aspektin e muzikës kam qenë gjithmonë ashtu. Nuk kam patur shumë pritshmëri, përveç se një kënge, ku ekipi ka bërë një punë shumë të mirë. Ajo që kisha unë në dorë ishte videoklipi. Aty unë kisha marrë një nur, kisha shtuar kile. Sekreti është një shef i mirë kuzhine. Ja u sugjeroj të gjitha femrave.
E pyetur në lidhje me projektet në të ardhmen dhe bashkëpunimet e mundshme, Gigliola ka rrëfyer:
Do doja në fakt me një reper, që të kishim dy rryma të ndryshme muzikore, jo të njëjta. Mato Lale është goxha i talentuar, por Noizy është Noizy. Kush nuk do ta donte një bashkëpunim me të. Ai bën vetëm hite. Të gjithë shokë i kam edhe Noizy-n, edhe Stresin, edhe Maton. Po më pëlqyen zërin do të më marrin.
Artistja nuk është shquar vetëm për talentin e saj në industrinë muzikore, por edhe në një temë mjaft delikate siç mund të jetë ajo personale. Këtu mund të përmendim marrëdhënien e saj me Amos Muji Zaharinë. E pyetur nëse Amosi do të vazhdonte qëndrimin e tij ose do të ishte finalist, por duhej të futej edhe ajo, Gigliola është përgjigjur kështu:
Jo, nuk do të futesha. Nëse do ta ndihmoja për në finale, ashtu po. Por me kusht që të më jepte ndonjë 10 nëse do ta fitonte normalisht. Përndryshe çfarë surprize, ashtu do ta traumatizoja me praninë time aty. Do qaja hallet nga e para, do t’i kujtonim.
Më tej, e pyetur nëse Dea Mishel Hoxha do të ishte partnerja ideale e tij, ajo është shprehur:
Pse jo?! Për dy vite mund të ketë ndryshuar shumë, kështu që pse jo. Unë kam dy vite që jam ndarë. E kam lënë para dy viteve. Përveç se u fut në Big Brother, që unë se prisja, ndoshta lidhet edhe me Dean.