Ai sëbashku me MC Kreshën kanë sjellë një prej albumeve që pa frikë mund të thuhet se ka korrur një sukses të jashtëzakonshëm në tregun muzikor shqiptar si edhe jashtë kufijve të saj.

Ndërkohë që dyshja ka vendosur që 1 herë në 2-3 javë të publikojë ndonjë projekt të ri muzikor, Lyrical Son ka nxjerrë në treg këngën e tij më të re të titulluar “I re pishmon”.

E publikuar rreth 3 javë më parë, “I re pishmon” u bë menjëherë pjesë e Top Listës, ku për këtë javë ka mundur të ngjitet me 6 pozicione, duke u bërë kështu kënga që ka krijuar një impakt të madh tek ndryshimi i pozicioneve për këtë javë.

I kontaktuar nga “Top Awards”, Lyrical Son, emri i vërtetë i të cilit është Festim, ka folur rreth këtij sezoni të suksesshëm muzikor si edhe për projektet që pritet të dalin së shpejti.

TA: Ky mund të quhet pa frikë viti juaj, ju është dashur shumë kohë të punoni për të sjellë në treg albumin e ri?

Lyrical Son”: Nuk mund të them që është viti im, pa përfunduar ende viti por mund të them që është viti jonë, i imi dhe i Kreshës pasi kemi bërë një album me 28 këngë i cili është punuar jashtë dhe është publikuar nga një prej kompanive më të njohura në botë.

TA: Sa këngë keni publikuar prej fillimit të këtij viti? Cila është kënga më e dashur për ju?

Lyrical Son: Siç e përmenda edhe më lart në total janë 28 këngë ndërkohë prej muajit janar unë dhe Kresha kemi publikuar 9 të tilla, të cilat kanë ardhur të shoqëruara me videoklipe.

Nuk kam asnjë dallim sa i përket preferencave të këngëve, nuk mund të veçoj asnjë prej tyre pasi të gjitha këngët janë punuar me dashuri dhe siç themi ne ‘e kemi lënë një gjysmë shpirti” për atë album.

TA: A mendoni se ky është sezoni më i suksesshëm i karrierës suaj muzikore?

Lyrical Son: Mund të pranoj që ka qënë një sezon tepër i lodhshëm por nuk di të them nësa ka qënë më i suksesshmi i karrierës sime pasi thuajse çdo vit që prej 2010, unë dhe Kresha kemi patur këtë angazhim.

TA: “I re pishmon”, kush është kujdesur për tekstin, muzikën dhe klipin?

Lyrical Son: Për videklipin është kujdesur “Entermedia”, ndërsa sa i përket tekstit dhe vijës melodike jam kujdesur vetë unë. Orkestrimi është bërë nga “BigBang”.

TA: Për këtë javë jeni artisti që jeni ngjitur me më shumë pozicione në “The Top List”, si ndiheni për këtë?

Lyrical Son: Të them të drejtën ndjenja e Top Listave dhe e klasifikimeve ka kaluar tashmë duke qënë se kemi vite që merremi me muzikë që prej 1999, mirëpo është gjithmonë kënaqësi kur klasifikohesh në vende të favorshme dhe kënaqësi kur fansat të votojnë. Unë i përshëndes shumë ata që na kanë votuar dhe që vazhdojnë të na dëgjojnë. I falenderoj dhe i premtoj që nuk do zhgënjehen asnjëherë prej nesh.

TA: Një mesazh për fansat që ju kanë votuar…
Lyrical Son: Rrini të qetë pasi keni për të dëgjuar muzikë të bukur deri në fund të vitit si edhe në fillim të vitit tjetër. Nuk kemi ndërmend të ndalemi dhe nuk është në natyrën tonë që ta ndalemi së bëri muzikë të mirë.

TA: Çfarë presin së shpejti nga Lyrical Son?
Lyrical Son: Nga Lyrical Son priten vetëm surpriza. Siç edhe ju e dini, ne nuk bëjmë paralajmërime për videoklipe por i publikojmë ato pa paralajmërim, duke i surprizuar fansat. Ata tashmë e dinë që çdo 2-3 javë ne publikojmë nga një videoklip.