Artistja e njohur e muzikës shqiptare, Flaka Krelani ka vetëm pak ditë që ka publikuar projektin e saj më të ri muzikor, të titulluar “Ndrysho”. Këngëtarja ka vendosur të vijë paksa ndryshe me këtë prurje të re, duke përcjellë një mesazh mjaft të rëndësishëm për dëgjuesit. Që në javën e parë të publikimit, kjo këngë është futur të “The Top List”, falë sugjerimeve të shumta nga ana e publikut.
Në një intervistë të dhënë për “Top Awards”, Flaka ka shpjeguar mesazhin që përcjell kjo këngë dhe pse ka vendosur të vijë ndryshe, duke zgjedhur një tematikë të tillë.
Top Awards: Sa kohë të është dashur të punosh për projektin muzikor “Ndrysho”?
Flaka Krelani: Nuk është se ka marrë shumë kohë sepse kënga ka qënë gati, ndërsa videoklipi është xhiruar në dy ditë.
Top Awards: Kjo këngë ka ardhur paksa ndryshe nga projekti yt i fundit, pse kjo zgjedhje?
Flaka Krelani: Sepse nuk mund që ndjenjat që kam për artin dhe muzikën të drejtohen në rrugë të cilat të imponohen sot në tregun muzikor. Unë jam artiste dhe kam të drejtën të eksploroj pa limit brenda muzikës, këngës, tekesteve. Ajo që më vjen, dua ta shpreh qartas pa hezitim dhe pa frikë sepse kjo më bën mua atë që jam sot. Këngë që kanë tematikë të tillë, për qejf dhe dëshirë, do kisha realizuar cdo ditë! Nuk pata dëshirë të filloj listën e projekteve të mia pa filluar me një të tillë. Tema sociale dhe videoklipe të tilla kanë qënë dhe do jenë gjithmonë pjesa ime e preferuar pavarësisht se tek ne nuk hahen! Në repertorin tim do ketë shumë lloje të ndryshme të këngëve, dmth nuk është se nuk jam me kohën, unë i dua të gjitha rrymat e muzikës por e pash shumë të arsyeshme të filloj me ” Ndrysho “.
Top Awards: Cili është mesazhi që përcjell përmes kësaj kënge?
Flaka Krelani: Mesazhi është për njerëzit që nuk kanë guximin të ndryshojnë. Esenca në jetë është ta pranojmë ndryshimin sepse në këtë mënyrë bota del me një dimension më të ri dhe më guximtar. Përveç kësaj, duhet të familjarizohemi me natyrën e jo të prodhojmë gjëra teknike që na bën të harrojmë natyrën. Ta pranojmë vdekjen si proçes të bukur në jetë dhe t’i vlerësojmë njerëzit sa jemi afër tyre. Të jemi me unikat, se të bashkuar e kalojme cdo furtunë! Të besojmë në të ardhmen, jo vetëm të besojmë por edhe të punojmë për të. Ta vlerësojmë natyrën si burim kryesor të jetës sonë por edhe anasjelltas, ta falenderojmë përmes kujdesit ndaj saj, se sado që ne e shkelim, e shfrytëzojmë, ajo prap na jep një shans!
Top Awards: Kush është kujdesur për muzikën dhe tekstin?
Flaka Krelani: Kënga është realizuar e gjitha nga Xhimi On dË Beat, me tekst të Xhimit ( vëllait ) Qendrim Krelani.
Top Awards: Vlerësim të madh në këtë projekt ka marrë edhe klipi i këngës, kush është kujdesur për të? Po ju vetë keni ndërhyrë me idetë tuaja në këtë video muzikore?
Flaka Krelani: Faleminderit! Për videoklipin është përkujdesur “In Films”, me regji të Pellumb Rraci dhe realizim të Edi Kerleshi. I falenderoj djemtë shumë për punën e mrekullueshme që e kanë bërë. Djem aq të guximshëm dhe unik na duhen shumë në tregun tonë muzikor!
Top Awards: Çfarë simbolizon ikona e buzëqeshjes në fund në dhomën tënde?
Flaka Krelani: Bota Na Fal, Sa Herë Që Gabojmë, Me Shpresë Që Një Ditë Cdo Gjë Ta Përmirësojmë! Ikona është Puzzle. Në videoklip esenca është qe ka rënë një virus në botë. Të gjithë njerëzit me veprime jo të mira, nuk guxojnë të dalin jashtë sepse po të dalin jashtë në botë, ai virusi do t’i mbysë! Ndërsa të tjerë njerëz që kanë bërë gjatë gjithë jetës mirë dhe janë pozitivë, lirshëm mund të dalin. Të gjithë personat që i shihni në videoklip, në të gjithë rrugëtimin që e bëj unë, secili nga ata më japin nga një pjesë të puzzle, që ky puzzle është mesazhi i shpresës, lumturisë. Unë arrij që ta finalizoj puzzle me ndihmën e njerëzve të mirë.
Top Awards: Cili është zhanri muzikor ku ti e ndjen veten më mirë?
Flaka Krelani: Secili zhaner e ka vecantinë e vetë! Mirëpo aty ku ndihem më së miri janë baladat, r&b, pop – rock…
Top Awards: Si ka qënë vera juaj? Pse vendosët të mos publikonit asnjë projekt muzikor?
Flaka Krelani: Kam qënë e angazhuar me një punë tjetër që e bëj përveç muzikës. Mirëpo edhe fakti se kam punuar në këngë të reja, të cilat kanë marrëe kohë dhe përkushtim. Përveç kësaj koncertet në numër të madh, nuk më kanë lënë shumë hapësirë të finalizoj projektet që kam nisur. Tani janë gati dhe mezi po pres që të publikohen. Një gjë tjetër është se siç e dini, nuk kam shkuar kurrë me trendin: tani është vera dhe duhet patjetër një Hit! Jo sepse nuk mund të drejtoj me timon një gjë që thirret Art. Nuk e kam dhe se kam pasur kurrë kompleksin t’i zë sezonat, njerëzit që më njohin e dinë edhe më mirë se si funksionoj. (Buzëqesh)
Top Awards: Edhe pse është shumë shpejt, keni nisur punën për projektin e radhës?
Flaka Krelani: Po, kënga e titulluar “Garden ” bashkë me videoklipin janë gati… Eshtë këngë dhe videoklip që kanë shumë kuptim dhe me zor po pres të dalë tetor!