Rreth 3 javë më parë grupi Familia Ideale ka publikuar projektin më të ri muzikor të titulluar “Jashte”.

Edhe pse është krijuar që prej vitit 2004, së fundmi ky grup ka tërhequr vëmendjen e publikut, fillimisht me këngën “Për pak Dritë” dhe më pas  me “Jashte” dhe duket se tekstet i këngëve të tyre që i dedikohen realitetit, e bën këtë grup ndryshe nga të tjerët.

Në një intervistë të dhënë për “Top Awards”, një nga anëtarët e grupit ka zbuluar më shumë detaje rreth projektit më të fundit muzikor.

“Ideja e këtij projekti është se edhe pse të gjithë si njerëz jemi “brenda” në shumë situata ose ambjente, kjo nuk do të thotë që i përkasim atij vendi apo situate dhe se vërtet duam të jemi pjesë e tyre”, zbulon Familia Ideale.

“Pra fabula është se edhe në shumë aspekte të jetës, fizikisht je “Brenda” por shpirtërisht je “Jashte”. Domethënë akoma dhe për gjërat më intime, ke shumë herë dyshime edhe ndihesh i mënjanuar”.

Që në javën e parë të publikimit, “Jashte” është bërë pjesë e renditjes së “The Top List” dhe kjo javë ka rezultuar një sukses i vërtetë për Familia Ideale, duke u bërë pjesë e treshes më të nxehtë të klasifikimit.

Falë votave të publikut, “Jashte” është ngjitur me 12 pozicione,  por ku do të renditet ajo javën e ardhshme? Kjo mbetet për t’u zbuluar ditën e dielë në programin “The Top List”, Top Awards, në Top Channel, në orën 10:30.