Pavarësisht se merr pjesë në shumë festivale dhe publikon muzikë të re, Aurel Thëllimi vazhdon t’i jetë besnikë TKOB si Bariton, duke e konsideruar një prioritet në karrierën e tij muzikore. Për të gjithë ata që nuk kanë mundur të ndjekin performancat e tij “live”, artisti ka zgjedhur që të jetë pranë fansave të tij, duke publikuar projekte të reja muzikore, qofshin ato bashkëpunime apo këngë “solo”.
Të njëjtën gjë ka bërë së fundmi artisti, duke kënaqur fansat e tij me prurjen më të re muzikore të titulluar “Shpirt Fukara”. Mbështetja e madhe nga ana e publikut ka bërë që kjo këngë ta fusë Aurelin për herë të parë në klasifikimin e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.
I kontaktuar nga “Top Awards”, artisti ka folur më shumë për këtë projekt muzikor dhe çdo të thotë për atë të jetë pjesë e “The Top List”.
TA: Çfarë i ka ndodhur Aurelit? Pse e ka shpirtin fukara?
Aurel Thëllimi: “Shpirt Fukara”, jo detyrimisht titulli ka lidhje me këngëtarin. Metafora nuk është përdorur për Aurelin në këtë rast por ka shumë njerëz që dashurojnë dhe kanë humbur dashurinë e vërtetë kjo si pasoje e shekullit që jetojmë, ku njerëzit janë bërë materialistë! Dmth tek kjo këngë e gjejnë veten të gjithë ata që kanë dashuruar dhe ia dinë vlerën kësaj ndjenje…
TA: Kush është kujdesur për tekstin, muzikën dhe klipin e “Shpirt Fukara”? Ku është xhiruar ai?
Aurel: Eshtë e disata herë që këngët i bëj vetë dhe kanë rezultuar të suksesshme si dhe në rastin e këtij materiali, në bashkëpunim me “De Vox” ndërsa për videoklipin kam punuar me “Studio Fourfinit”, të cilët i falenderoj për bashkëpunimin. Xhirimet janë bërë tek Kepi i Rodonit, një nga peizazhet më të bukura që ka Shqipëria!
TA: Si është pritur nga publiku kjo prurje e re muzikore?
Aurel: Jam shumë i kënaqur nga audienca e kësaj kënge, modestisht them se është pritur shumë mirë!
TA: Cila është rryma jote e preferuar muzikore?
Aurel: Muzika në tërësinë e saj më pëlqen, si profesionist mendoj që një melodi e shkruar me mesazhe reale depërton pavarësisht rrymës përkatëse!
TA: Cila është kënga që publiku ta kërkon ta këndosh gjithmonë nëpër koncerte “live”?
Aurel: Kënga që mua më afron me publikun shumë është “Te dua ty” por në koncerte “live” ku performoj me kohë të gjatë, normal që çdo këngë shqiptare sidomos popullore të bën të jesh më pranë publikut!
TA: “Shpirt Fukara” të bën pjesë të “The Top List” për herë të parë. Çfarë do të thotë kjo për ju?
Aurel: Eshtë kënaqësi për çdo artist të jetë pjesë e vlerësimeve të ndryshme dhe kompeticioneve. Një artist pranon dhe sfidat, kjo gjë ndodh edhe me pjesëmarrjen në “Top Awards”. Hera e parë në “The Top List”, mbase do më sjellë sadisfaksionin që unë kam nga kjo këngë.
TA: Ky vit do të sjellë projekte të reja nga ana jote?
Aurel: Jam gjithmonë në varësi të aktiviteteve të mia si në “TKOB” ashtu edhe në muzikën “live”. Nëse do ketë një material si “Shpirt Fukara” që më depërtoi emocionalisht, nuk do ngurroj ta nxjerr në treg për të gjithë ata që kanë pëlqyer prej vitesh muzikën time!