Partia Socialiste ka zgjedhur që për fushatën elektorale të 14 majit të vijë me një këngë të sajën, e cila lidhet ngushtë edhe me sloganin e PS ‘Vetëm përpara, kurrë më mbrapa’.  Kënga është shkruar posaçërisht për këtë fushatë, ndërsa pritet që të realizohet edhe një videoklip në të cilin do të përfshihen arritjet kryesore të qeverisë Rama.

Nga ana tjetër koalicioni “Bashkë Fitojmë” hapi fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 14 majit me një ceremoni të mbajtur në stadiumin “Air Albania”, ku u prezantua dhe kënga e këtij koalicioni për këtë fushatë zgjedhore. Kënga është një bashkëpunim mes këngëtarëve Eugent Bushpepa dhe Renis Gjoka, të cilët vijnë në zhanrin e tyre “Hard Rock”.

“Përpara”, kënga e fushatës së Partisë Socialiste, ka nxitur debate në opinionin publik. Disa e konsiderojnë një këngë ritmike, ndërsa të tjerë një tallava aspak serioze. Në një diskutim në studion e “Më lër të flas” në Top Channel, Renis Gjoka, Jul Deda, Kastro Zizo dhe Zefina Hasani komentuan muzikën dhe tekstin e këngës “Përpara”.

Renis Gjoka e cilësoi tekstin ofendim për masën.“Me përzgjedhjen që i kanë bërë këngës, mendoj se është një lloj ofendimi për masën. Dihen botërisht shijet e kryeministrit për muzikën, që janë shumë larg me atë këngë”.

Ndërsa Kastro Zizo u shpreh se kënga është bërë për t’u përdorur nga PS në fushatë me qëllim që të fitojë zgjedhjet: “Çështja është që në rastin konkret, janë disa njerëz që kandidojnë për të fituar. Të gjithë kanë një qëllim për të fituar. Ky material është bërë që të jetë një kolonë zanore e takimeve elektorale të një force politike që synon të fitojë”.

Mes artistëve të ftuar vazhdoi debati për përzgjedhjen e zhanrit muzikor dhe mesazhin e këngës.

Renis Gjoka: Unë nuk po them pse qeveria nuk nxori një këngë proteste, një këngë të zymtë etj. Shumë mirë që ka nxjerrë një këngë për të kërcyer, një këngë të hareshme për të treguar që ne jemi shumë mirë. Problemi është se teksti që ajo këngë ka brenda, është në një zhargon rruge. Nuk është e hijshme që për një këngë fushate, të ketë atë lloj zhargoni.

Jul Deda: Varet në çfarë konteksti ti e ve këngën. Fushatat, partitë politike, kur bëjnë një projekt muzikor që është i personalizuar për këtë fushatë. Ka një problem që te slogani. Jo më mbrapa, vetëm përpara. Dhe të mos harrojmë që ne kemi një degradim. Kemi degradim politik. Dhe kryeministri apo kush ka zgjedhur këtë zhanër, instinktivisht ka shkuar te tallavaja. Sepse kështu është situata. Ke një kryeministër që tallet. Jemi në këtë vorbull. Kënga e fushatës nuk bëhet për klikime, bëhet për fushatë. Çdo këngë fushate ka mesazh. Vjen nga kënga “Shumë zhurmë” në një këngë tallava, me këtë këngë ai thotë se si e sheh ai Shqipërinë.

Kastro Zizo: Jo. Ai ka bërë disa statistika, kush funksionon më shumë.

Por cilat kanë qenë disa nga këngët më të rëndësishme të fushatave elektorale të përdorura ndër vite. Zbulojini më poshtë…

West Side Family – Tirona

Risinë e kolonave zanore në Shqipëri e solli Edi Rama në vitin 2003. Rama do të mbahet mend si kandidati që solli një risi të veçantë në fushatat elektorale të zhvilluara në Shqipëri. Kur në vitin 2003 Rama rikandidonte për kreun e Bashkisë së Tiranës, ai zgjodhi një këngë shqiptare si kolonë zanore të fushatës elektorale, në të cilën ai shfaqej vetë si protagonist. Rama këndoi këngën “Tirona”, së bashku me tre djemtë e grupit “West Side Family”.

Dalja e Edi Ramës si këngëtar, me tekstin e shkruar nga vetë ai, që nis me vargun “Shumë zhurmë, shumë zhurmë”, u plotësua e u lançua me një klip, xhirimet e të cilit ishin realizuar në zonat më të njohura të Tiranës, nga qendra në periferi. Kjo këngë jo vetëm që u bë hit në Shqipëri gjatë vitit 2003, por ndikoi edhe në fitoren që Rama arriti përballë ish-rivalit të tij, kandidatit të së djathtës, Spartak Ngjela. 

Shqipëria po ndryshon

Por do të vinte viti 2009 që tradita e këngëve të fushatave të rikthehej me këngën që ende këndohet dhe satirizohet “Shqipëria po Ndryshon” e Partisë Demokratike e kënduar nga Elita 5, Genta Ismajli, Leonora Poloska, Elvana Gjata, Soni Malaj, Çiljeta, Stine dhe Bojken Lako.

West Side Family & Edi Rama – Çohu

Partia Socialiste doli me këngën “Çohu” të kënduar nga West Side Family dhe Edi Rama, ashtu si në 2003. 

Alban Skenderaj – Do jemi ne

Grupi tjetër politik që doli me një këngë fushate ishte G99 e kryesuar nga Erion Veliaj. Ky grup nxorri këngën “Do jemi ne” të kënduar nga Alban Skënderaj.

Bojken Lako & Ajkuna – Rrugë

Kënga “Rrugë” nga Bojken Lako dhe Ajkuna u përdor në fushatën elektorale të PD në vitin 2009.

Ermal Mamaqi ft. Olsa – Ma kthe qytetin tim

Në zgjedhjet e vitit 2007 kolona zanore e Sokol Olldashit ka qenë “Ma kthe qytetin tim”, kënduar nga Ermal Mamaqi, në bashkëpunim me Olsën.

Renis Gjoka & Eugent Bushpepa – Rezisto

Renis Gjoka & Big Basta – Një hap përpara (Këngë e zgjedhur për protestat e PD)

Vetëm përpara