Artistja shqiptare Ronela Hajati do të hapë shfaqjen e Eurovizion që do të mbahet më datë 10 Maj. Këngëtarja shqiptare do të performojë e parë në gjysmë finalen e parë të festivalit evropian që pritet të mbahet në Torino.

Ashtu si ajo nuk na zhgënjen kurrë edhe këtë herë bukuroshja na ka bërë të ndihemi krenarë duke thyer një rekord që do ta ndihmojë shumë Shqipërinë në këtë konkurrim. “Sekret” është renditur në vendin e 5-të si një nga këngët më të dëgjuara në Eurovision për muajin e kaluar. Më herët ajo ka treguar se ka qenë duke punuar me Klaudia Pepa në Romë për të bërë një koreografi që duke njohur Ronelën, e dimë që do të jetë ‘wow’.

Teksa i afrohemi datës 10 maj që do hapë spektaklin pikërisht me këngën e Ronelës, kanë nisur provat zyrtare ku ajo ishte gjithashtu e para. Fotot dhe videot e postuara të shtunën pasdite morën mjaft vëmendje dhe u pëlqyen tepër nga fansat të cilët janë mjaft të emocionuar për performancën e Ronelës.

Por më vonë është vënë re një veprim i pazakontë nga faqja zyrtare e Eurovizionit në Instagram të cilët kanë fshirë dhe ripostuar fotot për shtetin tonë por duke hequr një prej tyre që konsiderohej si më provokative. Ky veprim nuk ka ikur pa u vënë re nga fansat të cilët kanë reaguar menjëherë me komente nëpër rrjete sociale në mbështetje të Ronelës duke e cilësuar këtë veprim si një akt censurimi.

Madje disa zëra thonë që ekipit shqiptar i është kërkuar të ndryshojë koreografinë pas provave të fundit pasi konsiderohet sipas tyre si shumë provokative. Megjithatë, ende nuk kemi një reagim nga ekipi shqiptar apo vetë Ronela në lidhje me këto aludime.