Artisti i talentuar, Auron Deva, ka qenë i ftuar në emisionin “Lancio“, ku u prezantua si një nga zërat më premtues të skenës muzikore shqiptare. Me një formim profesional në Muzikë Moderne, Prodhim Digjital dhe Menaxhment, dega Performim Vokal, Auron sjell një qasje të rafinuar dhe bashkëkohore në muzikë. Ai është këngëtar dhe këngëshkrues, i njohur për interpretimet e tij të fuqishme dhe autenticitetin artistik, i cili është pasqyruar edhe në këngën e tij debutuese “Opera”.
Cilat kanë qenë hapat e tij të parë në këtë industri?
Kam filluar që në vegjëli. Mendoj që ndoshta kur je në bark dhe ke muzikë konstante, atë e ke në gjak pastaj. Kështu besoj se ka filluar me mua. Kam pasur përkrahje. Faleminderit të gjithëve, edhe tani sot unë qëndroj këtu duke menduar për të ardhmen.
Ai gjithashtu është edhe në kanto. Në lidhje me përmbajtjen e tij të zërit, ai shprehet:
Në kanto unë jam kontratenor. Për momentin është shumë e vështirë sepse kam filluar mësimet klasike përsëri dhe nga tenori kemi kaluar në kontratenor. E kam aftësinë dhe pse jo, por që pashë që ishte një diferencë shumë e madhe për mua kur këndoj pop dhe pastaj klasike.
Si artist në rritje që ai është, çfarë kupton Auron nga publiku?
Është shumë e çuditshme sepse ka raste kur ndoshta komentet janë negative për notat e larta. Ka raste kur të njëjtat nota të larta janë me komente pozitive nga publike. Mendoj që çfarë kam kuptuar unë, tek njerëzit që kanë dashur atë që unë kam bërë, ka qenë kur unë kam qenë vetvetja. Kam qenë vetja ime. Për shembull tek rasti i fundit i Shkodrës Elektronike me “Zjerm”, ku jam munduar të nxjerr nga vetja ime gjëra që unë e di që mund të bëj.
Përsa i përket këtij projekti, ku Shqipëria po përfaqësohet më së miri në Eurovision, Auron është bërë viral nga një cover i kësaj kënge. Si është shprehur Beatriçe dhe Kolë për këtë?
Në fakt, Beatriçe dhe Kolë e kanë shpërndarë këtë menjëherë dhe prej aty e ka marrë hovin. Ka pasur shumë artista të tjerë që e kanë shpërndarë. Ka kaluar përtej pritshmërive të mia.