Eraldi është një nga hyrjet e reja të kësaj jave, i cili është renditur më mirë se cdo hyrje tjetër në klasifikim. “Classy” titullohet projekti i tij muzikor, i cili është renditur menjëherë në vendin e 19-të.

Po kush është Eraldi?

Eraldi, i cili muajin tjetër feston ditëlindjen e tij të 19-të, ka lindur dhe jetuar në Itali. I rritur në një lagje, e cila nuk ofron shumë mundësi për të ardhmen, sidomos për një të huaj, Eraldi zgjodhi rrugën e muzikës dhe duket se ka bërë zgjedhjen e duhur.

Prej vëllait tim kam filluar të dëgjoj “Hip-Hop” në moshën 6-7 vjeç. Ai dëgjonte artista si Lil Wayne, 50 Cent, Eminem, etj. Më pas, në moshën 8-9 vjeç, kur në Shqipëri u shfaq Noizy, unë kisha mundësi të kuptoja tekstet dhe doja ta imitoja, në lëvizje dhe në veshje. Aty kuptova që edhe unë doja të bëja muzikë. Sot më inspiron më shumë muzika latine, trap-i amerikan, italian dhe francez“, tregon Eraldi në një intervistë të dhënë për “Top Awards”.

TA: Sa kohë keni që merreni me muzikë?

Eraldi: Gjithmonë më ka pëlqyer bota e muzikës, që i vogël. Kur isha 11-vjeç fillova të mësoj pianon në shkollë, pastaj në moshën 13-vjeçare kam filluar të shkruaj tekstet e para për qejf por seriozisht kam filluar të merrem dy vitet e fundit.

TA: Sa projekte muzikore numëroni në karrierën tuaj?

Eraldi: Karriera ime sapo ka filluar por tani në treg janë katër projekte me videoklip. Gati janë edhe shumë projekte të tjera, shumë ide për të ardhmen. 2020 do të jetë një vit me shumë surpriza.

TA: Cila nga këngët mbetet e preferuara juaj?

Eraldi: Kënga ime e preferuar nuk është publikuar akoma (qesh), por nga ato që janë publike mund të veçoj ‘Money Gang’ dhe ‘Classy’, pasi janë në stilin ku ndihem më mirë.

TA: Na trego pak për “Classy”? Për çfarë flet ajo? Cilës rrymë muzikore i përket?

Eraldi: Me ‘Classy’ kam dashur të përshkruaj atë kategori të vajzave që sot shohin më shumë gjërat materiale si makina, markat luksoze dhe sigurisht lekët. Ndodh që çunat dashurohen me këto vajza dhe çdo gjë e bëjnë për ato.

TA: Sa kohë shpenzon zakonisht për të krijuar një projekt muzikor?

Eraldi: Çdo projekt është ndryshe nga tjetri. Për disa projekte sa dëgjoj beat-in, për 1-2 orë kënga është e mbaruar. Për projekte të tjera duhet më shumë kohë, varet sa i inspiruar jam. Ndodh që kam vetëm një ide jo konkrete dhe pastaj në studio me producentin bëhet magjia (qesh).

TA: Çdo të thotë për ju të jeni pjesë e “The Top List”?

Eraldi: Për mua është një nder të jem prezent në “The Top List”. Deri dje shihja aty artistët e mi të preferuar dhe sot jam edhe unë aty në mesin e tyre. Nuk e fsheh dot që është një motivim shtesë për mua.

TA: Cili është plani më i afërt sa i përket muzikës?

Eraldi: Synimi im në muzikë është që të bëjë diçka ndryshe, të bëj art, jo të fokusohem thjesht në dhunë dhe te jeta e rrugës. Shpresoj, pse jo, ta çoj Shqipërinë në nivele të larta muzikore, që edhe Shqipëria të jetë e rëndësishme në hartën evropiane.

TA: Një mesazh për mbështetësit e muzikës tënde?

Eraldi: Dua t’i falenderoj të gjithë dhe se ky është thjesht fillimi. 2020 do të jetë një vit shumë “fire”, rrini gati. Ju dua, El Boucia!