Alban Ramosaj kishte paralajmëruar përmes postimeve në rrjetet sociale se ishte duke punuar për projektin e tij të ri, i cili më në fund është publikuar dhe ka marrë menjëherë vëmendjen e publikut, i cili përmes votave, e ka renditur menjëherë në vendin e parë.

“I Nat Ma fal” mban titullin kjo prurje e re muzikore e artistit, klipi i së cilës është një provë e Albanit në regji, shkrim filmi dhe editim. Sikurse mund ta keni kuptuar, artisti ka shprehur qartë se është tepër i apasionuar pas kinematorafisë dhë këtë pasion e ka vërtetuar më së miri në realizimin e këtij projekti muzikor.

Në një intervistë të dhënë për “Top Awards”, Albani ka zbuluar më shumë detaje rreth “I Nat Ma Fal”, sa kohë i është dashur realizimi i tij si edhe pritshmëritë nga kjo këngë.  Sa i përket jetës private të artistit, ai si kurrë më parë, më në fund ka zbuluar për “Top Awards”  se është “i punësuar momentalisht”, duke lënë kështu të nënkuptohet se artisti është shumë pranë krijimit të një lidhje dashurie dhe që për këtë duhet t’i urojmë fat!

Lexoni mendimin e Albanit për industrinë e muzikës shqiptare, për frymëzimet e këngës së tij më të re, si edhe dëshirën për të mos u ndalur asnjëherë së eksperimentuari.

TA: Je një artist që shumë rrallë bën “kompromise” sa i përket stilit muzikor, me projektin “I Nat Ma Fal” je munduar t’i përshtatesh industrisë muzikor apo sërish ke preferuar të mbetesh brenda stilit tënd?

Alban Ramosaj: Në rradhë të parë më vjen keq që jetojmë në një periudhë ku (sidomos) në industrinë muzikore duhet të konsiderojme “kompromizim” të ndjenjave, tingullit e të të shprehurit tonë. Jam i bindur që dhe artistët në krye kanë dëshira të brendshme të bëjnë atë që realisht duan por duke analizuar tregun dhe çfarë kërkohet janë të “burgosur” të bëjnë “fast food-et” që bëjnë, e kanë rënë rehat.

Dhe jo, nuk është faji i tregut, por i të gjithe pjestarëve të industrise (këngëtarëve, producentëve, tekstshkruesëve, etj) që kane mbjellë këto rrënjë dhe tani janë aq të thella sa një përqindje e vogël prej nesh nuk bejmë ndonjë ndryshim të madh. Do të duhej ndonjë revolucion i palodhshem nga të gjithë ne që të rimbillnim e të bënim konsumatorët të ri-vlerësonin kuptimin thelbësor të idesë se çfarë realisht është një këngë e si, ku, qysh, tek konsumohet ajo. Absolutisht, nuk them të zhduket një kategori muzikore, thjesht them që ka nevojë të ketë balancim.

Përsa i përket “I Nat Ma Fal” është një projekt i cili ka pak nga çdo gjë. Balancim. Si çdo njeri, edhe unë me kalimin e kohës ndryshoj, evolohem, piqem dhe kjo pasqyrohet dhe në krijimtarinë time. Nuk besoj se do ndaloj ndonjëherë së eksperimentuarit, kam shumë faqe të ndryshme brenda meje dhe dita-dites njoh të reja.

TA: Ndryshe nga projektet e mëparëshme, kjo këngë përmban një klip të kuruar deri në detaje, pse kjo zgjedhje? A mendon se kjo zgjedhje e zhvendos pak vëmendjen nga muzika?

Alban Ramosaj: (merr frymë thellë) pse jo. (qesh) Nuk e di nëse është transmetuar akoma tek ju por jam shumë, po shumë i apasionuar ndaj kinematografise dhe kjo vepër është thjeshtë një provë e imja në regji, shkrim filmi dhe editim. Fakti që jam fans i filmave horror dhe sidomos në periudhen kur shkrova “I Nat Ma Fal” isha duke parë të paktën dy filma horror në ditë, më ka ndikuar dhe në këndvështrimin e vizionit të klipit për t’i qepur këngës. Klipi ështe i kuruar në detaje akoma më shumë se c’mendoni. Kam shpenzuar disa javer duke shfletuar libra të vjetër fetar si dhe satanik mbi rituale, kostumografi e detaje të tjera që të isha sa më real me metaforat e me çdo gjë që ndodh brenda filmit. (Meqe ra fjala një nga këto librat satanik është i vitit 1412-të, është një nga 7 kopjet origjinale shkruar në atë kohë në një “kishë” dhe jo, nuk i përkas asnjëlloj feje, jam thjesht i apsionuar ndaj dukurive mistike e thjesht dua të informohem se çfare arrin e ku arrin të shkojë psiqiku njerëzor). (qesh)
Një kënge mund t’i bësh qindra video koncepte të ndryshme, kështu e pash unë. Për mua përshtatet 100%.

TA: A mund të na shpjegosh lidhjen mes tekstit dhe klipit?

Alban Ramosaj: Them se po t’jua lë ta zbërtheni vetë do argetoheni më shumë se sa ta servir në pjatë të tërë misterin dhe kuptimin. Cdo gjë që krijoj mundohem ta lë sadopak me interpretim të hapur që të jetë relative dhe e pranueshme nga një gamë e gjërë audience.

TA: A mund të na zbulosh disa detaje më tepër për klipin? Ku eshtë xhiruar? Personazhet që kanë marrë pjesë? Sa kohë të është dashur ta finalizosh? A ka patur ndonjë incident gjatë xhirimeve?

Alban Ramosaj: Produksion i “RA FilmHouse” duke nisur nga dita e konceptimit të klipit deri tek eksportimi final ka ngrëne diku tek 6 muaj. (Sepse jam perfeksionist dhe më “ha mola” në bark po nuk doli ashtu sic dua unë qesh.) Listen e krediteve të kastit dhe stafit e gjeni tek faqja zyrtare e “I Nat Ma Fal” në IMDB.com por mund të vecoj disa që kanë qënë krahu im i djatht. Ergys Zhabjaku, Artemis Hajdini dhe Ksela Lara. Ergysi një fotograf i mrekullueshëm me sy fotografik artistik që përvecse bëri rolin e “DOP”, na ndihmoi dhe në cdo fushë tjetër. Artemisi operatori vizual më i vecantë që kemi dhe jam i bindur që dita ditës do shpërthejë në sukses. Ksela një dizajnere e re në treg, me shije unike dhe versatile e inspiruar nga intelekti i shekujve 14-15 për projektin tone si dhe super modern për punen e saj që bën.

TA: Nga ka ardhur gjithë frymëzimi për realizimin e klipit, duke qënë se çdo gjë mban firmën tënde?

Alban Ramosaj: E thashë edhe pak më parë, jam partizan i filmave horror dhe kam përshtypjen që gjithë ato vizuale e histori më janë akumuluar në subkoshjencë e i kam dhënë jetë një projekti të tillë. Gjithashtu përveç vizuales që mban firmën time, për herë të parë jam entuziast të them që jam gjithashtu bashkëproducent në këngën që sigurisht punën më të madhe e ka dhënë “TullProductions”, që i jam pafundësisht mirënjohës.

TA: Edhe pse kjo verë që po vjen mund të jetë me distancim social, mendon se do të jetë një ndër këngët që do të luhet nëpër makine, radio, klube nate dhe pse je në buzë të detit, me pak fjalë, pret që kjo këngë të shndërrohet në hitin e kësaj vere?

Alban Ramosaj: Realisht nuk pres asgjë, uroj për më të mirën dhe sinqerisht uroj t’ju pëlqejë të gjithëve. Sigurisht që nëse kjo që thua ti, ndodh, do jem i lumtur e do ndihem që akoma më shumë ia ka vlejtur puna e madhe që i është kushtuar projektit.

TA: Le të fokusohemi pak tek teksti i këngës, duke qënë se paraqisin gjithmonë frymëzimin nga jeta jote reale. A e ka gjetur më ne fund Albani, “soulmate” apo vazhdon të mbeteni tek triologjia e “Hiraeth”, e cila vjen në endrrat e tua?

Alban Ramosaj: Kam mësuar se “Soulmate-t” “krijohen me punë” dhe mund të them se jam i punësuar momentalisht. Më uroni fat! (qesh)

TA: Je renditur disa herë në vendin e parë në “The Top List” edhe pse për ndjekësit e Top Awards mbahesh mend si Albani i “A më do”, çfarë mendon se ka ndryshe kjo këngë që mund të mposhtë suksesin e “A me do” që ka qëndruar për 4 javë rresht?

Alban Ramosaj: Them se në kohën kur e lançova këngën kisha yjet e rradhitura në linjë perfekte? (qesh). Nuk i vendos dot kundër njëra-tjetrës këngët e mia sepse qëndrojnë në kohëra të ndryshme, inspirime të ndryshme, janë totalisht ndrysha nga njëra-tjetra. Nuk krahasohen dot, jo se njëra është më e mirë se tjetra (për mua). Momentin që lançoj një këngë nuk është më e imja, është e publikut dhe e kanë ata në dorë se sa javë rresht do qëndrojë në vendin e parë. 4 javë, më shumë, më pak. Jam i lumtur me faktin që të paktën arrita prap aty lart në fron.