Edona Reshitaj është një nga hyrjet e reja në Top Awards për këtë javë. Ajo ka publikuar projektin e saj “Më shumë se e bukur je” që ka hyrë në klasifikimin e “The Top List” duke u renditur në vend të 49-të.

Edona Reshitaj është një artiste nga Kosova, aktore dhe këngetare. Ajo punon në Teatrin Kombëtar të Kosovës si aktore e trupës rezidente. Ka një përvojë të ngjeshur në teatër, film, seriale dhe TV. Muzika është një mjet të cilin ajo e përdor për të reflektuar në shoqëri, përmes kauzave të ndryshme, protestës, revoltës, nderimit, argëtimit e kënaqësisë.

Edona njihet për një trajtim të veçantë të muzikës së vjetër shqipe, duke i rikthyer ato në stile të muzikës jazz, gipssy dhe eksperimentale. Ka realizuar dy koncerte recitale, “E kuqja dhe e zeza” dedikim për Festen e Flamurit, si një protestë artistike, kundër vendimit të Qeverisë, për heqjen e 28 Nëntorit prej listës së festave kombëtare.

Ndërsa koncertin “Zonjat e Kangës” ia ka dedikuar të gjitha zonjave mbarëshqiptare, që kanë lënë gjurmë në muzikën shqipe, si nderim dhe falenderim për kontributin e tyre. Muzikën dhe aktrimin e gërsheton më së bukuri nëpër shfaqjet muzikore, të cilat kanë pasur një suksese të madh. Si aktore, ka disa çmime mbarëkombetare dhe dy çmime ndërkombëtare. “Më shumë se e bukur je” është projekti i saj më i ri muzikor.