Sot në emisionin “Live from Tirana” në Top Albania Radio ishte e ftuar nëpërmjet një lidhjeje telefonike aktorja dhe këngëtarja Edona Reshitaj për të na folur rreth këngës së saj të re të titulluar “Më shumë se e bukur je” dhe jo vetëm.
Si e sheh bukurinë Edona?
E vlerësoj në bazë të shpirtit të bukur dhe ai person me shpirt të bukur për mua është real, human, i thjeshtë, i cili kapacitetet e veta i shfrytëzon për të krijuar diçka, për të arritur një sukses. Edhe bukuria vizuale është e rëndësishme, atë që ta sheh syri, por ajo është e thatë nëse nuk e ka një shpirt të bukur përbrenda. Kënga ime e ka atë shpirtin e bukur përbrenda. Kohët e fundit bukuria ka filluar të jetë një mani, duke krijuar edhe stres dhe depresion te njerëzit deri në çrregullime mendore. Rrjetet sociale po ndikojnë shumë te të rinjtë. Mua kjo më brengos sepse jam nënë e dy fëmijëve dhe me shqetësojnë çështjet negative në lidhje me rininë. Më kap paniku për fëmijët e mi.
Cila është përqasja e të rinjve në Kosovë për të bukurën?
Unë në lindjen time të parë, 2 vjet nuk punova, nuk isha aktive në rrjete sociale, isha e përkushtuar ndaj fëmijës. Duhet të kesh qasje më botën e jashtme por unë u kufizova dhe në profesion, nuk krijova asgjë. Pastaj fillova duke krijuar, nisa të jem aktive në rrjete sociale dhe u bllokova me çdo gjë që pash. Doja një frymëzim dhe më brengosi sepse çdo gjë vërtitej rreth bukurisë. Më pengonte që shihja shumë ‘filter’ në fotot e njerëzve. Nuk e kuptoj pse ndodh kjo gjë. Nuk dua të gjykoj askënd por më ka brengosur dhe nuk e kuptoj këtë lloj tendence. Kjo ndikon te gjeneratet e reja sepse janë të brishtë.
Sa inferiore ndihet Edona përballë modeleve që duken si utopike?
Unë nuk ndihem inferiore sepse nuk e shoh bukurinë vetëm vizuale. Nuk më lë përshtypje asnjë person që është i bukur vizualisht dhe nuk bën asgjë me jetën e tij.
Sa ka ndihmuar kjo këngë për të frymëzuar të rinjtë?
Kam marrë mesazhe edhe prej vajzave të vogla, nënave, gjysheve. Kam marrë pafund mesazhe pozitive dhe që më falënderojnë. Unë pres të kem një impakt më të madh, vetëm audienca ime nuk mjafton. Por, nëse 20 persona e marrin këtë mesazh për mua është mision i kryer.