Në pak kohë publikim, bashkëpunimi i Besës dhe Elinel ka korrur padiskutim një sukses të jashtëzakonshëm duke qëndruar për dy javë rresht në krye të klasifikimit të “The Top List”.

E kontaktuar nga Top Awards, Besa ka zbuluar se si lindi ideja për këtë projekt muzikor si edhe planet e kësaj vere sa i përket muzikës. Ajo gjithashtu ka prekur edhe paksa performancën e saj me Elinel në “The Voice”.

TA: Pas bashkëpunimit me Florin, zgjidhni një tjetër artist të talentuar, si lindi ideja dhe kontakti me Elinel?

Besa: “Mos m’le me ra” është një këngë të cilën kemi 3 vjet që e kemi nisur me Kledi Bahitin. I ishim rikthyer herë pas herë dhe nuk ishim ende 100% të kënaqur me tekstin, stilin e produksionit që do të përdornim dhe elemente të tjerë si artisti bashkëpunues. Më lindi ideja për Elinel pasi e shihja se mund t’i qëndronte këngës në mënyrë perfekte. Një detaj; paraprakisht ai tekst është punuar më shumë së në 5 variante. Në momentin që Elinel dërgoi demon e tij, ishim të bindur se ishte artisti i duhur për natyrën, konceptin dhe emocionin e këngës. Ju rikthyem punës dhe rindryshuam orkestracionin dhe vijën melodike për ta sjellë sa më të fresket, të re dhe një tranzicion stilesh sa 2017 aq edhe këngë në kuptimin e vlerave që përcjell në mesazh e kompozim.

TA: Përveçse një muzikë e ndjerë, “Mos m’le me ra” ka marrë vlerësime maksimale edhe për tekstin, kush është kujdesur atë?

Besa: Sikurse ceka pak më parë, ai tekst është punuar nga shumë artistë të ndryshëm, ka nisur me disa artistë përfshirë Vig Popen në një variant, më pas punuam me Timo Flloko, Aleks dhe unë deri në finalizim.

TA: Në kanalin tënd në “Youtube” kemi vënë re se komentojnë dhe shumë fansa nga vendet e huaja, po mendoni për një tekst në anglisht?

Besa: Eshtë një produksion në tërësi shumë ndërkombëtar dhe kemi patur kërkesa ta realizojme edhe në anglisht. Momentalisht nuk e kemi në plan, por nuk i dihet në të ardhmen. Së shpejti vjen “remix-i” zyrtar nga producenti fantastik i “remix-eve” Gon Haziri, besojmë në suksesin e “remix-it”.

TA: Le t’i kthehemi pak “incidentit” në “The Voice”, ti si u ndjeve në ato momente? Mendon se ky “incident” i dha një famë akoma më të madhe bashkëpunimit tënd?

Besa: Janë situata të vështira sikurse përjeton çdokush në punën e tij, por në punën tonë ndodhin para syve të gjithë publikut dhe përgjegjësia dhe impakti emocional është shumë më i madh. Përgjegjësia e artistit është të kapërcejë çdo pengese që i paraqitet dhe të realizojë me sukses e profesionalizëm detyrën e tij duke “mbuluar” e ndihmuar edhe kolegun. Nëse incidenti ndihmoi, nuk di të them me saktesi. Por ndoshta nga çdo e keqe vjen një e mirë (buzëqesh).

TA: Keni marrë kreun e “The Top List” vetëm në një javë publikim, duke e mbajtur për dy javë rresht si ndiheni për këtë?

Besa: Ka patur një reagim të jashtëzakonshëm për këtë këngë dhe për këtë jemi tepër të lumtur pasi në vetvete ajo nuk është një këngë veçanërisht komerciale. Kjo do të thotë që audienca shqiptare di të vlerësojë shumë mirë një punë të mirë dhe me thelb.

TA: Një mesazh për të gjithë mbështetësit e muzikës tënde?

Besa: I falenderoj nga thellësia e zemrës për mbështetjen e tyre të vazhdueshme për mua prej vitesh, në suksese dhe jo vetëm. Ata janë frymëzimi im dhe motori emocional që ushqen shpirtin tim artistik.

TA: Brenda 2 muajsh keni sjellë dy projekte muzikore, kemi plane të reja për këtë verë?

Besa: Jam duke punuar për një material tepër të vecantë edhe për këtë verë. Nëse ka dicka që vërehet nga muzika ime ndër vite është dëshira dhe nevoja ime si artiste që muzika ime të mos jetë përsëritëse dhe e varfër në inovacion. Dua që asnjë këngë të mos më ngjajë me dicka që kam lëvruar më parë. Kam vokacionin gjithnjë të shpalos diçka të re nga karakteri dhe personaliteti im artistik. Jam vetvetiu gjithnjë në kërkim të të resë dhe të bukurës së paprekur e paeksploruar.