Fansat e Butrint Imerit kanë bërë të pamundurën që projekti më i fundit i artistit tyre të preferuar të vendoset në kreun e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.

Votat e publikut e kanë ngjitur “Kush?” me një pozicion nga java e kaluar, duke mposhtur kështu fansat e Kidës dhe duke vendosur në vendin e parë Butrint Imerin. Fansat e Butrintit kanë mirëpritur projektin e ri të artistit, i cili ka ardhur paksa ndryshe nga projektet e mëparëshme, të paktën klipi, i cili trajton një temë dashurie por në kohën e mesjetës.

Ndërkohë që javën e kaluar mbante vendin e parë, Kida ka humbur dy pozicione nga jave e kaluar, duke u zhvendosur në vendin e tretë. Pavarësisht se mbetet në zonën e nxehtë të klasifikimit, Kida dhe Butrinti janë ndarë në mes nga një hyrje e re, e cila ka rezultuar tepër e pëlqyer nga publiku shqiptar.

“Fly” titullohet bashkëpunimi më i ri i Rinës dhe Fuegos, i cili falë mbështetjes së madhe nga ana e publikut ka arritur të futet menjëherë në vendin e dytë edhe pse është java e parë që është pjesë e “The Top List”. Rina vazhdon të godasë fort me bashkëpunimet e saj, të cilat shndërrohen menjëherë në qendrën e vëmendjes.

Tre projekte të reja i janë shtuar klasifikimit për këtë javë, të cilat janë renditura në 20-të këngët më të votuara të “The Top List”.