Don Phenom është shndërruar në një fenomen së fundmi në tregun muzikor shqiptar. Reperi shkodran, i cili prej 16 vitesh jeton në Amerikë, po korr një sukses të madh me projektet e publikuara së fundmi, të cilat nuk janë të pakta.

Brenda një periudhe shumë të shkurtër, Don Phenom ka publikuar rreth 8 projekte muzikore, qofshin ato bashkëpunime apo këngë “solo”.

Në një intervistë të dhënë për “Pop Culture” në Top Channel, drejtuar nga Dojna Mema, reperi ka treguar se në momentin që publikon një këngë, dy të tjera janë gati në studio. Don Phenom ka rrëfyer gjithashtu se këtë verë do vijë me disa projekte muzikore që i përkasin një rryme muzikore më komerciale, por ai iu premton fansave se në muajin shtator, do të rikthehet në rrymën e tij.

Don Phenom, i cili i përket “TBA”, është pjesë e klasifikimit të “The Top List” me dy projekte muzikore, të cilat renditen në 5 këngët më të dëgjuara të javës.

“Jena Lit”, e cila ka 12 javë që është pjesë e klasifikimit të 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare, për këtë javë mban vendin e dytë ndërsa bashkëpunimi i tij me Cartani, këtë javë ka korrur një super sukses duke u ngjitur me 59 pozicione dhe duke u pozicionuar në vendin e 4-t.

Në intervistën e tij, reperi ka treguar se kohët e fundit është zhvendosur në Prishtinë dhe Tiranë, për shkak të koncerteve të shumta në trojet shqiptare.