Shkurti i këtij viti ka sjellë shumë projekte të reja muzikore, në valën e së cilës është përfshirë edhe Don Phenom. Ndërkohë që pjesa më e madhe e artistëve i dedikojnë këngë dashurisë dhe zgjedhin Ditën e Shën Valentinit për t’i publikuar, reperi ka vepruar ndryshe, ai ka vendosur ta publikojë këngën e tij të re më 15 Shkurt, ndryshe e cilësuar nga shumica si Dita i Beqarëve.

Duket se fakti që këngëtari ka zgjedhur muajin e të dashuruarve për nxjerrjen në treg të kësaj kënge, e ka shndërruar atë  thuajse në një romantik. Ndryshe nga projektet e mëparëshme, Don Phenom ka ardhur romantik në këngën e titulluar “Ku je”, e cila flet në fakt për një ndarje.

Fansat e kanë mirëpritur këtë prurje të re të artistit, duke lënë mjaft komente pozitive në rrjetet sociale. Pavarësisht se ishin në pritje të një kënge “rap”, fansat e artistit kanë shijuar këtë projekt të ri, i cili këtë javë është bërë gjithashtu pjesë e klasifikimit të 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare, duke u renditur në vendin 46-të.

Don Phenom gjendet gjithashtu në klasifikim edhe me dy bashkëpunime të tjera muzikore, “Columbiana” me Tayna dhe “Cohu” me Ronela Hajatin të pozicionuara përkatësisht në vendin e 31-të dhe 80-të.