I ftuar në emisionin “Back to the Beginning” në Top Albania Radio ka qenë Sardi Strugaj. Artisti i njohur ka treguar më shumë detaje nga karriera e tij dhe suksesi në fushën e muzikës ndër vite. Si ka nisur gjithçka për Sardin? Një kthim pas në kohë që prej fillimit të rrugëtimit dhe deri më sot…
Cila ka qenë ndjesia kur ka qenë i ulur në ndonjë kafe dhe ka dëgjuar këngën e tij të luhet në sfond?
Hera e parë ka qenë me këngët “Sytë”, në një moment unë e kam vënë vetëm në radio pasi po provoja sound-in sepse kisha 3-4 versione dhe isha i fiksuar tek detajet tek kënga finale. Hera tjetër është kur më ndodhi rastësisht dhe kjo më goditi, më vinte pak çuditshëm ta dëgjoja veten në radio pasi e kisha dëgjuar pafund në studio.
Sardi shtoi gjithashtu se:
Edhe sot e kësaj dite kur i dëgjoj këngët e mia kam atë sikletin tim dhe nuk dua të jem aty kur i dëgjojnë. Kur futem në lokal ose restorant dhe më vendosin këngët për të më respektuar në fakt më vë pak në siklet. Kjo ka qenë edhe arsyeja se pse në fillim nuk kam dashur të dal edhe me fytyrë sepse doja që të më njihej vetëm zëri dhe vetëm këngët dhe patjetër emri. Një nga strategjitë kur e kam nisur ka qenë kjo që ti jepja peshë vetëm muzikës dhe nuk është se i kam pasur qejf kamerat.
Tekstet e artistit mund të veçohen gjithmonë për stilin unik dhe veçantinë e tyre:
Unë përgjithësisht jam melankolik edhe në tekste dhe muzikën që bëj. Më pëlqen që edhe dhimbjen ta trajtoj pak më butë dhe pak më ëmbël, vërtetë nuk është aq gri sa na duket. Rrëmuja apo turbulenca që kemi në kokë nuk është e tillë e parë nga jashtë. Mundohem që këtë ta reflektoj edhe në muzikë, ta sjell pak më pozitive edhe humbjen edhe dhimbjen. Mendoj t’i përshtas, procesi i krijimit pastaj vjen natyral dhe tekstet janë ato që vijnë kur je i qetë dhe fokusohesh vetëm tek ajo bota jote.
Cilin prej artistëve vlerëson më shumë Sardi?
Vlerësoj të parin Ardit Gjebrean që ka sjellë vëret revolucion në muzikën shqiptare, mendoj që një artist duhet të di edhe të tërhiqet. I vlerësoj shumë artistët që dinë të tërhiqen dhe si të thuash nuk vdesin. Mundohem ta kem edhe vetë parasysh që në një moment të tërhiqem që të mos vdes rrugës ashtu siç ka edhe shumë artistë të tjerë shqiptarë që mendoj që kanë vdekur rrugës edhe pse janë akoma në treg por nuk dua të përmend emra. Flori Mumajesi është producenti dhe kantautori ndër më të mirët që kemi pasur ndonjëherë dhe pastaj duke ardhur tek këngëtarët që janë Alban Skënderaj, Shpat Deda.