I ftuar në emisionin “Pardon My French” në Top Albania Radio me Jonida Aliçkollin dhe Lei Krajën ka qenë Andos. Artisti i njohur ka rrëfyer më shumë detaje në lidhje me projektin e tij më të ri. Kënga e re e titulluar “Mos ma kujto”, është një interpretim bashkëkohor i poezisë së njohur të Dritëro Agollit. Ky projekt muzikor bashkon fuqinë e fjalës me emocionin e muzikës moderne, duke krijuar një eksperiencë të thellë dhe prekëse për dëgjuesit.

Andos, i njohur për aftësitë e tij vokale dhe interpretimin emocional, ka sjellë një version të ri të kësaj poezie, duke i dhënë asaj një dimension muzikor që e bën më të afërt me audiencën moderne. Artisti ka arritur të ruajë thelbin e poezisë së Dritëro Agollit, duke i shtuar një dimension të ri që prek dëgjuesit. Por si lindi gjithçka, nga erdhi frymëzimi për këtë projekt të veçantë?

Gjërat e mira, marrin kohë. Mua m’u deshën goxha vite që ta kompozoj dhe miksoj tamam. Ta inkorporoj zërin e Dritëros në këngë ashtu siç duhet, t’i jap emocion. Unë isha në fakt në këto rrugëtimet e mia, misionet në shkretëtirë ku shkoj herë pas here dhe “Mos ma kujto” e kisha shumë afër si poezi më ato momente. Muzika është gjthçka.

Pse Dritëroi?

Kemi shumë shkrimtarë të mirë, por Dritëroi përveç se ka qenë një nga romanticerët më të mirë i të gjitha kohërave. Ai i ka shkruar dashurisë dhe emocionit në një mënyrë direkte. Unë e kisha shumë afër dhe gjithmonë më është dukur se mund të kishim qenë miq shumë të afërt. Më është dukur gjithnjë si aktor Hollywood-i. Ishte një moment kur po shfletoja poezi. melodinë unë e kisha, refrenin e kisha dhe “Mos ma kujto” tingëllonte bukur. Pastaj sigurisht që u detyrova që ta ndryshoja pak refrenin që t’i përshtatej melodisë dhe sigurisht me lejen e familjes Agolli.

A ka ndjerë përgjegjësi artistike kur e ka prekur këtë vepër?

Shumë, përgjegjësi e madhe. Kur e dëgjon edhe zërin e Dritëro Agollit aty duket sikur e ke pranë disi. Do të jesh i kënaqur, dhe Dritëroi gjithashtu. Përgjegjësi absolute, një ikonë dhe një simbol i lapsit, fjalëve, emocionit dhe vargjeve.