E ftuar mëngjesin e sotëm në studion e “Wake Up”, ka qenë Dejzi Zylaj, një nga arstistet më të treja në tregun muzikor shqiptar. Vetëm 16 vjeçe por me një talent të madh dhe pasion për muzikën, Dejzi ka publikuar këngën e saj të parë “Nuk ke dit”, që është bërë pjesë e “The Top List” dhe për të cilën na ka folur vetë më shumë…
Si ndihesh kur shikon që kënga jote ka marrë këtë lloj impakti tek njerëzit?
Ndihem shumë e emocionuiar, shumë e lumtur. Nuk mund të them që e prisja, por e kisha dëshirë të madhe. Është shumë e bukur të shohësh sa po e dëgjon publiku. Kënga do publikohej më datë 18 sepse është ditëlindja e dy personave të dashur për mua, babit dhe gjyshit, por pastaj u vendos data 14, sepse ishte dhe fundjavë.
Çfarë të kanë thënë shokët në Liceun Artistik për këngën tënde?
Shoqëria më ka suportuar shumë, kanë dhënë ato mendimet e veta. Kur kisha thjesht demon kanë pasur ato kritikat e veta, për tekstin për shembull, por kanë pasur dhe pëlqimet e veta.
Çfarë mund të thuash për klipin?
Klipi ka pasur vështirësitë e veta. Por ekipi ka qenë shumë përkrahës dhe jam ndierë shumë komode. Për mbështetje kam pasur gjithmonë mamin, mund ta quaj si menaxheren time. E kam pasur gjithmonë në krah, si pas kamerave, si për kritika.
Cila është muzika që të pëlqen më shumë?
Më pëlqen RnB dhe pop, por për të shkruar vetë një tekst, do preferoja baladat sepse më japin më shumë frymëzim. Nga artistët shqiptarë për balada më pëlqejnë më shumë Yll Limani, Alban Skënderaj dhe Dren Abazi.
Po punon për një këngë të re?
Po mendoj që të jetë komplet diçka tjetër nga kjo. Nuk dua të zbuloj shumë, por kam qejf të bëj një projekt që të rrëmbejë zemrat e publikut dhe të dëgjohet edhe më shumë se “Nuk ke dit”.