David Dreshaj ka qenë i ftuar në studion e “Live From Tirana”, për të folur më shumë mbi albumin e tij të Krishtlindjes që ka publikuar së fundmi, si dhuratë për fansat e tij për festat e fundvitit. Ndër të tjera ai ka rrëfyer dhe historitë që fshihen pas projekteve të tij të fundit. Davidi është ndalur pak më shumë tek jetesa në Malin e Zi, paragjykimet që ekzistojnë atje për shqiptarët, si dhe për pjesëmarrjen në Eurovizion.

“Ku je”

Ma ka propozuar Darko Dimitrov para 2 apo 3 vitesh. I kam thënë ta linte anash nëse nuk e merrte njeri. Edhe pse publikoja këngë të reja, “Ku je” mbetej në mendje. Ka ardhur spontanisht dhe nuk është se i dedikohej dikujt. Gjatë xhirimit të klipit ka patur shumë momente të bukura. Ka qenë shumë ftohtë. Por ka qenë një panoramë e mrekullueshme. E kemi xhiruar për nja 2 ditë, kemi qenë pa gjumë. Por ia ka vlejtur.

“Ana”

Ishte diçka më komerciale për sezonin e verës. Nëse do ‘projektoja’ “Anën” time, mua më pëlqejnë personat që janë rebelë, por prapë janë të mirë. Këto dy këngë, si “Ana” edhe “Ku je”, më kanë ndryshuar karrierën dhe mënyrën se si më shohin dhe producentët.

“Ma le”

Nuk jam shumë unë tek kjo këngë. Në atë kohë m’u duk më e mira e mundshme. Nëpër clube kur performoj, e vendos rrallë “Ma le”.

“Egoiste”

Të gjithë dfinë të jenë ndonjëherë egoistë. Është si titull i papërdorur. Kur doli si këngë është pëlqyer shumë. Ne shqiptarët e kemi pak si negative këtë fjalë, por egoja nuk është e keqe, ndonjëherë të shtyn përpara, të motivon.

Si të lindi ideja për të patur një album Krishtlindjesh?

Që në fëmijëri kam pasur një ide për të patur një album personal, e më pas një album Krishtlindjesh. Jam rritur me këngë festive dhe mendova që është momenti i duhur. Është bërë me shumë shpirt dhe zemër. I është dedikuar Zotit si album, unë i besoj shumë Zotit.

Pse doje të sillje këngë Krishtlindjesh?

Siç thashë unë jam shumë i lidhur shpirtërsisht me Zotin, me fenë time. Mendova që ky është momenti i duhur të tregoj dhe shtrirjen time vokale dhe një anë tjetër të Davidit, një anë më serioze.

Si e kanë pritur këtë album familjarët e tu?

Fillimisht babai nuk ishte dakord të sillja një album të tillë. Ai e sheh ndryshe tregun muzikor. Nuk do që të sjellë kengë të tilla artistike, i pëlqejnë më shumë këngët komerciale. Pastaj mami, motra patjetër e kanë pëlqyer shumë.

Ke në plan të krijosh koncerte të tjera humanitare?

Besoj se po. Do të ketë koncerte këtë fundvit edhe nëpër famulli dhe kisha. Do të ketë një pianist që do më shoqërojë dhe do jem live. Nuk e di nëse do të dokumentohen, por nëse është një famulli apo kishë e rëndësishme, do të kem një foto veç si kujtim.

A e ke ndierë ndonjëherë paragjykimin në Mal të Zi?

Normal që po. Nëpër shkolla ka patur rrahje apo grupe të ndryshme që janë ngatërruar me njëri-tjetrin. Nuk është se ia kam venë shumë vëmendjen. Nëse do biesh pre e çdo provokimi, mendoj që nuk ia vlen.

A e ke në plan të përfaqësosh ndonjëherë Shqipërinë apo Malin e Zi në festival?

Unë kam pasur ftesë dy vite radhazi nga delegacioni malazez për të përfaqësuar Malin e Zi në Eurovizion, por materialet të cilat m’i kanë ofruar më kanë kufizuar dhe nuk më kanë lënë që t’i punoj. Dhe ka qenë një periudhë e shkurtër, tre-katër muaj para Eurovizionit. Unë jam shumë detajist dhe e konsideroj skenën e Eurovizionit shumë të madhe. Mendoj që duhet të jesh në çdo aspekt i gatshëm dhe ti duhet ta ndjesh. Jam rritur me Euroviozinin dhe e dua shumë si skenë. Dhe herët apo vonë do vijë dhe koha që të përfaqësoj Shqipërinë apo Malin e Zi. Kush nuk do që të marrë pjesë në atë festival, gënjen.

Çfarë do të kemi të re së shpejti nga Davidi?

Do të sjell rreth dy duete. Do punoj maksimalisht që t’u pëlqejnë publikut, të jenë komerciale, të jenë të dëgjueshme dhe të jenë një kombinim i bukur edhe për club-et edhe për radiot.