E ftuar në emisionin “Lancio” në Top Albania Radio ka qenë këngëtarja Olimpia Smajlaj, një artiste me një karrierë premtuese në tregun muzikor shqiptar, e cila së fundmi ka publikuar këngën e saj të radhës, titulluar “SMR”, një shkurtim për tri fjalët: Sex, Money, Rock ‘n Roll, të cilat janë tematikat për të cilat flitet dhe plotësojnë krijimin e kësaj kënge.

Olimpia është një vajzë mjaft e realizuar, e cila shpesh herë provon veten në dimensione të ndryshe të artit, ku mund të përmendim: aktrimin, prezantimin, këndimin, etj, por gjithmonë cilësohet si “Olimpia e Ermalit”. Vazhdon ta përndjekë ky emërtim atë?

Më ka përndjekur në fakt, sepse aty kam dalë për herë të parë dhe jam njohur për publikun e gjerë shqiptar. Ajo të ndjek derisa të bësh një gjë akoma edhe më të madhe, që të harrohet çdo gjë që ke bërë më përpara. Do e bëj atë gjë, edhe pastaj njerëzit nuk do të ma thojnë më atë gjë. Thjesht Olimpia.

Por pse këngëtarja zgjodhi të mos ketë një ‘boom’ aq të madh sa vajzat e tjera të programit, ku mund të përmendim Rashelin ose Kejvinën?

Fillimisht, ato ishin velina dhe unë isha këngëtare. Këngëtare për mua është një status më i lartë, më vjen keq ta them. Velina ka një rol tjetër. Rol argëtues dhe është pjesë e rëndësishme e atij lloji show. Janë aty vetëm për pamjen vizuale dhe kaq. Unë isha për diçka më tepër, isha për të bërë muzikë, pra rol tjetër.

Projekti i saj i fundit është bërë së fundmi pjesë e “The Top List”, një miksim i rrymës pop dhe rock, ku mund të themi se është pritur mjaft mirë nga dëgjuesit.

“SMR” personifikon të gjithë vibe-n e videos, por edhe historinë në vetvete që flitet në këngë. Titulli është homazhi i “Sex, Drugs and Rock ‘n Roll”, por unë e ndryshova dhe e bëra pak më ndryshe. Kur dua të bëj diçka, dua ta bëj deri në fund, ashtu siç duhet. Ndërtesa ku ne xhiruam ishte në Metalurgjik dhe ishte shumë e rrënuar dhe shumë e paqëndrueshme e kishte shumë erë atë ditë. Unë duhet të hipja lart në kat të pestë dhe kishte gjithmonë hapësira ku mund të rrëzoheshe dhe kisha taka super të larta. 

Sa e vështirë është që të krijosh një karrierë të mirëfilltë në industrinë muzikore shqiptare?

Unë kam një natyrë që i tremb njerëzit dhe nuk para më afrohen për të bërë kompromise. Pjesa tjetër pastaj është që është shumë e kushtueshme të prodhosh muzikë, të bësh marketing, sepse kemi diçka në Shqipëri që jemi shumë të fiksuar pas YouTube-it. Po nuk doli me klip kënga, nuk dëgjohet.