Kur flasim për skenën rock në Shqipëri, është e pamundur të mos përmendim Burn, një grup që prej më shumë se dy dekadash ka ndezur emocionet e publikut me muzikën e tyre energjike dhe performancat live të paharrueshme.
Historia e grupit nis më 1 gusht 2003, kur disa të rinj të apasionuar pas muzikës rock vendosën të krijonin një formacion ndryshe nga çdo gjë që ofrohej në atë kohë në tregun muzikor shqiptar. Emrin “Burn” e morën nga kënga ikonike e Deep Purple, një zgjedhje që pasqyron respektin dhe ndikimin e madh që kjo rrymë muzikore kishte tek ata.
Gjatë viteve, grupi përjetoi disa ndryshime, duke përfshirë edhe vokalistin Renis Gjoka, i cili do të linte gjurmë të rëndësishme në suksesin e grupit në periudhën 2004–2014. Burn doli në skenë për herë të parë në 2004, gjatë një festivali të muzikës alternative për të rinj. Kënga e tyre “Mbret pa kurorë” u vlerësua me çmimin e parë, duke shënuar një hyrje të fuqishme në treg.
Që atëherë, Burn ka qenë pjesëmarrës i rregullt në festivalet më të rëndësishme të vendit, ku ka marrë disa çmime si: Best Rock në Kënga Magjike apo Best Pop-Rock në Mikrofoni i Artë.
Ata kanë përfaqësuar Shqipërinë edhe jashtë vendit, si në koncertin ndërkombëtar “East West” në Milano, ku performuan krah artistëve të tjerë të Europës Lindore dhe Perëndimore.
Me mbi 300 këngë në repertorin e tyre, Burn janë të njohur për aftësinë për të mbajtur gjallë skenën live në klubet më të njohura të Tiranës. Këngët e tyre janë kryesisht krijime origjinale, por kanë edhe bashkëpunime me emra të njohur të muzikës shqiptare si: Aleksandër Gjoka, Eranda Libohova, Big Basta, Rosela Gjylbegu, Rovena Dilo dhe shumë të tjerë.
Një nga figurat më të spikatura të grupit ka qenë Renis Gjoka, i cili kontribuoi në disa prej këngëve më të suksesshme të Burn si “Dashuria ime ti”, “Sot”, “Ia mbathim bashkë” dhe “Superstar”. Pas një dekade bashkëpunimi, ai u largua në vitin 2014 për të ndjekur karrierën solo, por marrëdhënia e tij me grupin mbetet miqësore dhe e respektueshme. Pjestarët aktual të grupit janë Dino Zigelli, Stivart Çela, Fatlind Paja Dehiri dhe Arlind Beqiri.
Burn nuk është thjesht një grup rock. Ata kanë ditur të ruajnë autenticitetin artistik, duke eksperimentuar pa e humbur identitetin. Në një treg gjithnjë e më komercial, Burn është dëshmi që muzika e mirë nuk ka nevojë për kompromis.