Dyshja e talentuar e muzikës shqiptare, Blunt & Real kanë publikuar projektin e radhës. Ndërkohë që kanë kaluar thuajse dy muaj që nga kënga e tyre e fundit “Suzi”, e cila është ende në klasifikimin e “The Top List”, djemtë kanë publikuar suksesin e radhës.
Artistët duket se kësaj radhe i janë “futur” politikës dhe kjo nënkuptohet nga vetë titulli i këngës. “Pare si Thaçi, Pare si Rama”, titullohet prurja më e re e dyshes, e cila ka një javë që ka dalë në treg. Që në javën e parë të publikimit, kjo këngë është bërë pjesë e listës zyrtare të “Top Awards”, duke u pozicionuar mjaft mirë, saktësisht në vendin e 14-të.
Në videon muzikore të kësaj kënge, Blunt dhe Real shihen teksa mbajnë në dorë kartmonedha me fytyrën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Ajo që vihet re është se Thaçi është imazhi i kartmonedhës me vlerë 500 Euro ndërsa Rama i kartmonedhës me vlerë 2000 Lekë.
Po duke iu referuar ngjarjeve të fundit në Shqipëri, a nënkupton kjo këngë se artistët janë pro çadrës, e cila ka mbi 50 ditë që qëndron para zyrës së kryeministrit Rama? A është ky një mesazh i qartë drejtuar politikës?