Bleona Qereti ka bërë një tjetër arritje të madhe në karrierën e saj. Ajo është shfaqur në kopertinën e revistës prestigjioze amerikane “Vogue”.

Artistja shqiptare, e njohur për guximin, pavarësinë dhe vizionin e saj pa kompromis, zbukuron kopertinën e një numri që feston bukurinë si akt lirie dhe identiteti. “I theva normat kulturore pa menduar”, shprehet Bleona, duke përmbledhur një jetë të tërë të ndërtuar mbi guximin për të qenë vetvetja.

Historia e saj nis që në moshën 5 vjeçare, kur doli për herë të parë në skenë, e udhëhequr nga një ndjenjë e vetme, muzika e cila e bënte të ndihej gjallë. Sot, dekada më vonë, e njëjta vajzë kurioze dhe e patrembur jeton brenda saj. Bleona u shndërrua shpejt në një superyll në Shqipëri, duke sfiduar tabu dhe duke kënduar për lirinë në një kohë kur ajo fjalë ende peshonte rëndë. “Doja vetëm të shprehesha”,kujton ajo  dhe kjo nevojë u bë forca që e shtyu përpara.

Paraqitja e saj në kopertinën e Vogue Beauty është më shumë se një arritje personale; është realizimi i një ëndrre të ndërtuar me disiplinë dhe punë të palodhur. “Vogue” ishte bibla ime e modës. Të jem sot në kopertinën e saj është dëshmi se ëndrrat realizohen me përkushtim, jo me fat”, thotë ajo.

Në kopertinën e dhjetorit të Vogue Beauty, Bleona Qereti përfaqëson forcën femërore në formën e saj më autentike një grua që na kujton se bukuria e vërtetë nuk është ajo që shohim në pasqyrë, por liria për të qenë plotësisht ajo që jemi.